Blendi Klosi u prezantua këtë të martë në Vlorë si drejtues politik i Partisë Socialiste për këtë qark, pas largimit të Arben Ahmetajt nga kjo detyrë. Në takim ishte Damian Gjiknuri por jo Ahmetaj edhe pse ky i fundit ishte ftuar të merrte pjesë.
”Ahmetaj është lajmëruar, por mesa di ka qenë i angazhuar me punë të tjera”, u përgjigj Gjiknuri kur u pyet nga media.
Ashtu si Rama edhe Gjiknuri e kanalizoi largimin e Ahmetajt në çështje organizative.
Edhe vetë Ahmetaj një ditë më parë përdori të njëjtin argument. “Riorganizimi është normal, ndodh shpesh, ka ndodhur, do të ndodhi, nuk ka ndonjë gjë të re”, u shpreh Ahmetaj.
Arben Ahmetaj nuk ishte i vetmi që mungonte në takimin e Vlorës. Blendi Klosi u pyet se pse në takim nuk ishte as kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, i cili është atakuar nga kryeministri Edi Rama dhe marrëdhëniet e tij me PS-në janë ftohur prej kohësh.
“Detyra jonë është të jemi bashkë me qytetarët. Mos u përpiqni të ndani popullin. Vlerësimi për gjithsecilin bëhet si u shërben qytetarëve. Shumë shpejt do të fillojmë procedurat për punën e kryetarëve të bashkive në të gjithë vendin”, u përgjigj Klosi.
Blendi Klosi ka qenë edhe më parë drejtues politik në Vlorë, në vitet 2007- 2009, periudhë që nuk mbahej mend nga Gjiknuri (ose se paku kështu tha) kur iu drejtua me të qeshur: Pse ke qenë në Vlorë?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.