Sociale

Klosi-Manastirliu: Masat për një sezon turistik të sigurt

Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, shpjegon se brenda muajit maj përfundon vaksinimi i punonjësve të strukturave akomoduese dhe gjithashtu ka nisur procesi i dezinsektimit në zonat bregdetare dhe do të hapen qendrat shëndetësore verore.
Ndërsa Ministri i Turizmit, Blendi Klosi shpjegoi se do të hapet sistemi i aplikimit për operatorët turistikë që duan të posedojnë një stacion plazhi Golem. Ministri Klosi shtoi se këtë vit do të kemi një sezon “covid free” dhe siguri të garantuar në të gjitha pikëpamjet.
“Megjithatë them që edhe përse po shkojmë mirë me vaksinimin, na duhet që së bashku ekspertët e dy institucioneve tona t’i paraqisin Komitetit të Ekspertëve një protokoll të caktuar edhe për vitin 2021, pasi përsëri do të duhet të kemi disa rregulla në zbatimin e këtij sezoni ashtu siç në fakt kishim edhe në vitin e kaluar por pa dyshim ia dolëm që të ishim një sezon i kontrolluar nga pikëpamja e pandemisë”.
Gjatë konsultimeve me operatorët turistikë të zhvilluara në mbedhjen e Task-Forcës, Manastirliu bëri me dije masat e shëndetësisë për sezonin veror, të fokusuara në tre komponentë.
“Prioritet mbetet vaksinimi, që, siç e përmenda do ta përfundojmë brenda muajit maj për operatorët turistikë. Sezoni turistik do të vijojë që të ketë në komponentët e tij edhe hapjen e qendrave shëndetësore verore. Do të jenë edhe këtë vit 28 qendra shëndetësore verore, me kujdes 24 orë, të cilat do të hapen përgjatë të gjithë zonave bregdetare, por edhe atyre turistike malore. Komponenti i tretë po kaq i rëndësishëm është programi i dezinsektimit të zonave turistike, i cili ka nisur sot në vijën bregdetare të Durrësit dhe në zonën e jugut dhe deri në datë 28 maj përfundon dezinsektimi i parë si proçes i plazheve, duke filluar nga Velipoja drejt Shëngjinit dhe duke u finalizuar përgjatë gjithë bregdetit”, tha Manastirliu.
Ministri Klosi deklaroi se do të ketë rregulla që nga siguria e jetës në plazhe, sigurimi i rendit, niveli i zhurmave, muzikës, duke garantuar komoditet për çdo pushues vendas dhe të huaj. Edhe sezoni turistik 2021 do të ketë një protokoll sa i takon masave anticovid, për të pasur një situatë të kontrolluar të COVID19 gjatë sezonit turistik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë