Futboll

Klopp për të djeshmen, të tashmen dhe të ardhmen

Nga Gazeta “Si” – Ka kaluar më shumë se një dekadë që kur Jürgen Klopp i dha fund një periudhe të paharrueshme 7-të vjeçare në krye të Borussia Dortmundit, por imazhi i një prej figurave më karizmatike të futbollit, duke goditur ajrin me grusht dhe duke fryrë faqet në vijën anësore – me kapelen e bejsbollit në kokë – mbetet i gdhendur në kujtesën e tifozëve të Bundesligës në mbarë Botën.

Sot, roli i Klopp është shumë ndryshe. Më 1 Janar 2025, 58-vjeçari u emërua Drejtor Global i Futbollit te “Red Bull” dhe u vu në krye të rrjetit ndërkombëtar të klubeve të futbollit të kompanisë, përfshirë edhe RB Leipzig në Bundesliga.

Për dikë që kishte kaluar pjesën më të madhe të 25 viteve në fushën stërvitore dhe në pankinën e trajnerit, ishte një hap drejt së panjohurës – por një hap që, sipas fjalëve të vetë Klopp – “nuk mund të më emociononte më shumë”.

Një vit pas emërimit të tij, entuziazmi i tij mbetet i pandryshuar. Në vend që të merret me drejtimin e përditshëm të një klubi futbolli, Klopp është kryesisht përgjegjës për të ndihmuar 8-të klubet e “Red Bull” të zhvillojnë filozofinë e tyre, për të asistuar në skautim dhe për të edukuar trajnerët.

Me dy tituj në Bundesliga, një Kupë të Gjermanisë (DFB-Pokal), një Champions League, një titull të Premier League dhe një Kupë Bote për Klube në CV-në e tij mbresëlënëse, i linduri në Shtutgart, ka natyrshëm një thesar përvoje mbi të cilin mund të mbështetet.

Megjithatë kjo nuk do të thotë se ai nuk po mëson ende gjëra të reja përgjatë rrugës. Kjo etje për dije i ka shërbyer Klopp në një karrierë ku shpesh i është dashur të përqafojë rolin e të pafavorizuarit, që nga ditët e tij të hershme te Mainz 05 – klubi që ai e çoi në Bundesligë në vitin 2004 – e deri te periudha në Liverpool në Premier League.

Vendimtare është se te Mainz 05, Dortmund dhe Liverpool, Klopp pati të paktën 7-të vite për të ndërtuar një skuadër të suksesshme – një luks që pak trajnerë të kohëve modernë mund ta imagjinojnë.

Pas largimit nga “Die Nullfünfer”, Klopp ndihmoi Dortmundin të fitonte dy tituj rradhazi në Bundesliga në vitet 2011 dhe 2012, përpara se ta udhëhiqte klubin drejt Finales së humbur në Champions League 2013, ndaj rivalëve të Bundesligës, Bayern Munich, në “Wembley”.

Një histori e ngjashme edhe te Liverpool, i cili nën drejtimin e Klopp u shndërrua gradualisht në një nga skuadrat më të frikshme të Evropës, duke fituar Champions League në vitin 2019 dhe Premier League një vit më pas.

Kur suksesi më në fund erdhi, Klopp ishte i rezervuar për të marrë vëmendjen kryesore në festimet e skuadrës së tij, duke preferuar t’ua linte gjithë vëmendjen, lojtarëve.

A do ta konsideronte ai një rikthim në pankinë, kur të vijë koha e duhur? Klopp nuk e përjashton asgjë – edhe pse një rikthim si trajner nuk është aspak në listën e prioriteteve të tij të menjëhershme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë