Nga Gazeta ‘Si’- Klodian Braho është drejtuesi i ri i SPAK që do të zëvendësojë në këtë pozicion Altin Dumanin, së cilit mandati i mbaron më 18 dhjetor. Pas 6 orësh mbledhje, KLP votoi me 7 vota pro Brahon si drejtues të SPAK. Xholi mori 3 vota dhe Gokaj 1.
Në garë ishin 4 kandidatë: Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho. Secili prej tyre pati 45 minuta kohë në dispozicion, për të prezantuar vizionin dhe platformën e tyre për drejtimin e SPAK-ut. Më pas ata iu përgjigjen pyetjeve të anëtarëve të Këshillit.
Ndërkohë, Braho do ta marrë zyrtarisht detyrën në një ceremoni të dorëzimit të kompetencave më 19 dhjetor 2025. Prokurori Braho, 43 vjeç, pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007, ka qenë ndërkohë një nga figurat kryesore të SPAK-ut.
Ai u emërua prokuror në vitin 2007 pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës.
Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012.
Më pas, u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.
Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK-ut, ai u emërua prokuror në strukturën e re.
Ai ka drejtuar Seksionin e Korrupsionit dhe është autor i hetimeve ndaj disa prej dosjeve më të rëndësishme të viteve të fundit.
Braho ka hetuar çështjen e inceneratorit të Elbasanit, për të cilën lëshoi urdhër-arreste për persona të përfshirë në skemën korruptive, si dhe ndau hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.
Mes çështjeve të tjera të rëndësishme janë dosja “5D”, ku u dërguan në gjyq ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, si dhe “Toyota Auris”, një dosje që vijon të hetohet në disa pista.
Ai është gjithashtu pjesë e grupit të prokurorëve që ngritën akuzën për ish-ministrin Fatmir Mediu në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.
Si votuan 11 anëtarët e KLP!
Sokol Stojani– Xholi
Moisi Duda- Braho
Olger Eminaj– Braho
Erind Mërkuri- Xholi
Mirela Bogdani- Braho
Vatë Staka-Xholi
Ledina Riza- Braho
Erind Gërmenji- Braho
Zeqir Hoda- Braho
Arta Mandro- Braho
Erion Fejzulla- Gokaj
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




