Drejtësia

Klodian Braho synon organizim dhe konsolidim në SPAK: Asnjë mbi ligjin!

Gazeta Si – Kandidati për kreun e SPAK, Klodian Braho, shpalosi i fundit platformën para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke deklaruar se ka një eksperiencë 18-vjeçare në sistemin e Prokurorisë.

“Kam qenë në prokuroritë e Beratit, Vlorës, Krimet e Rënda dhe SPAK. Në SPAK jam drejtues i seksionit kundër korrupsionit. Gjatë veprimtarisë sime kam hetuar funksionarë nga niveli bazik deri në ministër. Kam pasur në duar çështje për zyrtarë të lartë, apo funksionarë të sistemit të drejtësisë”, tha 43-vjeçari.

Braho shtoi se “në vitin 2023 janë konfiskuar me kërkesën time në një procedim të vetëm 18.4 milionë euro, që i përkisnin një organizate kriminale”, shumë sa 2-fishi i buxhetit vjetor të SPAK”.

Në vizionin e tij, Braho shpjegoi se “përfshin dhe organizimin dhe konsolidimin e Prokurorisë së Posaçme. “Prokuroria e Posaçme ka një kornizë strategjike të miratuar… Sa i përket ushtrimit të ndjekjes penale do garantohet zbatimi i ligjit, askush nuk do të jetë mbi ligjin”, tha ai.

Ai tregoi pikën e tij të fortë që është lufta me korrupsionit. “Si pikë e fortë do përmend faktin që kam eksperiencë të gjatë në veprat penale me korrupsionin. Kam që në vitin 2012 që jam marrë kryesisht me këtë vepër. Kam patur qetësinë dhe qartësinë e duhur dhe maturinë jo vetëm njerëzore, por edhe procedurale në kryerjen e hetimeve. Sa i përket pikës së dobët do tregohem i sinqertë. Prokuroria nuk ka qenë më përpara siç është sot. As ne nuk kemi qenë të përgatitur për këtë lloj komunikimi publik, për këtë lloj vëmendje publike dhe mendoj është një nga pikat e mia, nuk do thosha të dobëta, por që do i kushtoja rëndësi në të ardhmen, mënyra e komunikimit me publikut, mënyra e komunikimit me median. Ka të bëjë me situata të tilla që ne si trupë prokurorësh nuk kemi qenë të mësuar dhe përgatitur. Drejtuesi është ai që përfaqëson, por prokurorët nuk e kanë pasur atë mundësi”, tha Braho.

Sa i përket ndërhyrjeve të mundshme që mund të ketë, Braho tha se asnjëherë nuk është tërhequr përballë pretendimeve të palës së akuzuar, madje në shumë çështje ia ka komunikuar vet akuzën.

“Unë nuk e kam problem të përballem me ankesa dhe pretendime, madje në çështjet që kam, akuzën ia kam njoftuar vetë, me qëllim që edhe ti dëgjoj pretendimet e tyre. Mund të dëgjoj dhe mund të pres zyrtarë, por zgjidhja është ajo që parashikon ligji. E ndjej veten të plotësuar si prokuror dhe mendoj se është normale një sfidë tjetër”.

Mes të tjerash, Braho propozon krijimin e një njësie të veçantë që do të kryejë përgjime në ambiente publike dhe private, duke rritur kapacitetet përmes trajnimeve të specializuara të personelit.

Ai shtoi se duhet të formohet edhe një njësi taktike, për të forcuar kapacitetet njerëzore dhe teknike dhe për të garantuar pavarësinë institucionale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë