Ka ndodhur

Shkarkimi i gjyqtares Hoxha, KLGJ shtyn mbledhjen në 25 shkurt

Këshilli i Lartë Gjyqësor shqyrtoi kërkesën e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, (ILD) për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.

Kërkesa për shkarkimin lidhet me rastin e lirimit me kusht të Hekuran Billës.

Avokati i gjyqtares së arrestuar, i pranishëm në seancë, ka kërkuar pezullim të procesit pasi sipas tij magjistratja duhet të jetë në seancë dhe duhet kohë për mbledhjen e provave dhe për një propozim drejtuar ILD-së për marrëveshje.

Nga ana tjetër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, nuk ka qenë dakord me këtë shtyrje.

“Nuk jam dakord për shtyrjen. Procesi i rregullt ligjor përmbushet me prezencën e avokatit. Hetimi ndaj magjistrates ka nisur më 16 korrik 2020, ku u njoh me dokumentet. Gjyqtarja ka pasur kohë për mbrojtjen. Edhe avokati ka pasur kohë, pasi u caktua më 27 janar”, ka thënë Metani”, mësohet të jetë shprehur Metani.

Ndërkohë që Këshilli u tërhoq për konsultim dhe vendosi të shtyjë mbledhjen më 25 shkurt.

Gjyqtarja Enkeleida Hoxha u pezullua nga KLGJ pas arrestimit me urdhër të SPAK.

Gjyqtarja Hoxha akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi në funksionin e saj publik lironte persona me dënime për vepra të rënda penale, kundrejt parave.

Në total janë arrestuar 10 persona, mes tyre avokati Aldo Tabaku, sekretarja Manuela Mallakuçi, eksperti psikiatriko-ligjor Shkëlqim Korbi.

Ndërkohë në përgjimet e prokurorisë doli edhe emri i mjekut të QSUT-së, Edvin Priftit, të cilit iu sekuestruan 250 mijë euro dhe 160 milionë lekë të vjetra cash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë