Këshilli i Lartë Gjyqësor shkarkoi nga detyra gjyqtarin Kliton Spahiu pas kërkesës së Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Inspektoriati kishte vlerësuar në kërkesën e depozituar se, “ushtrimi i pa rregullt i detyrës nga ana e magjistratit Kliton Spahiu ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, si dhe ka cenuar besimin e publikut te drejtësia”.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkoi nga KLGJ administrimin e provave të paraqitura prej tij si dhe pranimin e kërkesës së ILD për fillimin e procedimit disiplinor dhe caktimin ndaj magjistratit Kliton Spahiu të masës disiplinore “shkarkim nga detyra”.
Aktualisht gjyqtari Spahiu është i pezulluar nga detyra me vendim të para tre vjetëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të marrjes si i pandehur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Kliton Spahiu ishte një nga tre gjyqtarët që u hetua për përfitime të paligjshme për të dhënë një vendim në favor të biznesmenit Namik Sadik, që ishte në proces gjyqësor
Aso kohe rezultoi se gjatë kohës që kishin në gjykim çështjen e biznesmenit, gjyqtarët kishin udhëtuar drejt Italisë, në të njëjtën ditë, orë, destinacion dhe shoqëri ajrore si biznesmeni.
Nga të dhënat e administruara nga sistemi TIMS rezultoi se gjyqtarët dhe biznesmeni kishin udhëtuar dhe kthyer dy ditë më vonë, ndërsa biletat janë prerë njëra pas tjetrës tek e njëjta kompani ajrore.
Me argumentin se ky grup përbëhej nga katër persona, Prokuroria kërkoi ndihmën e drejtësisë italiane.
Episodi i dytë i Prokurorisë, sërish u referohej udhëtimeve në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën orë me avion i tre gjyqtarëve së bashku me biznesmenin, ndërkohë që biletat ishin prerë sërish tek e njëjta kompani udhëtimi dhe përsëri numrat e prerjes ishin të njëpasnjëshëm.
Nga hetimet, rezultoi se tre gjyqtarë (ndër ta edhe Spahiu) kishin udhëtuar për të parë ndeshjen e futbollit në Madrid mes Realit dhe Barcelonës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



