Drejtësia

KLGj mbron hartën e re gjyqësore: Më e mira e mundshme për shpërndarjen e barabartë të dosjeve

Këshilli i Lartë Gjyqësor thotë se po ndjek me vëmendje kritikat ndaj propozimit për hartën e re gjyqësore, por e mbron propozimin duke deklaruar se është frut i një pune trevjeçare të mirëstudiuar dhe që në kushtet kur ndodhet sot gjyqësori më e mira e mundshme për shpërndarjen e barabartë të ngarkesës së dosjeve.

Në deklaratë, KLGj thotë se harta është miratuar në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, gjykatat dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Harta e Re Gjyqësore” sipas raportit të miratuar, synon rritjen e efikasitetit dhe efektshmërisë së gjykatave. Ajo garanton shpërndarje të ekuilibruar të ngarkesës mes gjykatave dhe gjyqtarëve në funksion të marrjes së drejtësisë në mënyrë të barabartë dhe në të njëjtën kohë për të gjithë qytetarët. Kjo zgjidhje forcon aksesin e qytetarit në marrjen e shërbimit, pavarësisht afërsisë fizike me gjykatën”, thotë KLGj.

Këshilli sjell në vëmendje se vlerësimi i organizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave përbën një detyrim ligjor periodik për Këshillin, i cili të paktën çdo 5 vjet, rivlerëson situatën, në varësi të nevojave dhe rrethanave konkrete.

Më tej, duke iu referuar këtij detyrimi ligjor, Këshilli thotë se ka zbatuar edhe ligjin për gjykatat kur ka propozuar këtë ndarje.

Miratimi përfundimtar i propozimit për “Hartën e Re Gjyqësore” është kompetencë ligjore ekskluzive e Qeverisë, por duke qenë se ky propozim është konsultuar me Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli nuk pret që Qeveria ta refuzojë atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë