Ambasadorja e SHBA në Tiranë përshëndet njoftimin e Gjykatës së Lartë për hapjen e procedurave të aplikimit për tre vakancat që ky institucion emëron në Gjykatën Kushtetuese, por i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor që të nxitojë me plotësimin e vetë Gjykatës së Lartë me numrin e nevojshëm të anëtarëve për të plotësuar kuorumin.
“Një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale është një hap që duhet ta ndërmerrni për të vazhduar ngjitjen e malit. Ju po lëvizni në drejtimin e duhur, por unë e nxis Këshillin e Lartë Gjyqësor që të përfundojë procedurat për vlerësimin dhe të rendisë e caktojë kandidatët më të mirë të verifikuar që kanë aplikuar për ngritje në detyrë në Gjykatën e Lartë”, deklaroi Yuri Kim gjatë një aktiviteti me temë “Garantimi i një Drejtësie të Efektshme në Gjykatën e Lartë”.
Ambasadorja thotë se plotësimi me anëtarët e nevojshëm i Gjykatës së Lartë i hap rrugë udhëtimin për ngjitjen në majë të malit, që ajo nënkupton plotësimin e Gjykatës Kushtetuese me numrin e plotë prej 9 anëtarësh.
Kim kujton se opinioni i Komisionit të Venecias i qershorit 2020 nënvizon se funksionimi i Gjykatës së Lartë mund të jetë edhe më kritik për stabilitetin e Shqipërisë se sa Gjykata Kushtetuese.
“Jam krenare për punën që po bëjmë për të reduktuar morinë e dosjeve në Gjykatën Kushtetuese. Jemi duke mbështetur reduktimin e këtyre dosjeve dhe po bëjmë pjesën tonë për të përmirësuar efektivitetin e Gjykatës së Lartë”, tha Kim.
Ambasadorja përsëriti qëndrimin se reforma në drejtësi po sjell rezultatet e para pozitive.
“ Shqiptarët duan të shohin rezultate se çfarë janë në gjendje që të bëjnë institucionet e reja, kur të arrijnë në kapacitetin e tyre maksimal. Jemi duke e ngjitur malin së bashku dhe Shqipëria është tani në kulm të një reforme reale në drejtësi”, deklaroi Kim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



