Ngjarje

Klerikët shqiptarë reagojnë pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut

Nga Gazeta Si- Komunitetet fetare në vend kanë reaguar pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, duke vlerësuar figurën e tij dhe kontributin që ai dha për Kishën por edhe për njerëzimin.

Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Kishës Katolike të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta kujton Papa Françeskun si një zë të fuqishëm në të gjithë botën, ku theksoi se Papa shpalli ungjillin e dashurisë ndaj më të varfërve dhe më të përjashtuarve të shoqërisë.

“Ai ngriti vazhdimisht zërin kundër luftës, armatimeve dhe shkatërrimit të krijimit. Me fjalë dhe me vepra e udhëhoqi Kishën katolike drejt një trajte më të përulur, më të thjeshtë e më sinodale. Ne i jemi mirënjohës Hyjit që na dha Papa Françeskun në këto vite dhe i lutemi Hyjit që ta pranojë në banesat e amshuara të Mbretërisë së tij”, tha imzot Gjergj Meta.

Si ipeshkvinj, tha imzot Gjergj Meta, falënderojmë të gjithë ata që në këto momente na gjenden pranë në mënyra e forma të ndryshme.

“U bëjmë thirrje të gjithë komuniteteve Dioqezane, famullitare, rregulltare e çdo besimtari që të luten për Papa Françeskun. Po ashtu, duke filluar nga mbrëmja e ditës sotshme, të organizohen momente lutjeje dhe përshpirtje në të gjitha komunitetet e besimtarëve dhe këmbanat të bien në shenjë zie duke filluar nga momenti i marrjes së kësaj letre. Krishti e pastë në parriz Papa Françeskun e i dhashtë dritën e amshuar!”, shkruan mes të tjerash imzot Gjergj Meta.

Kisha Ortodokse Autoqefale shprehu ngushëllime, teksa vlerësojnë përpjekjet Atit të Shenjtë për të nxitur një mirëkuptim më të madh ndërmjet Kishës Orthodhokse dhe asaj Katolike.

“Gjatë misionit të tij si prift, peshkop dhe Papë, ai gjithmonë tregoi një përkushtim të thellë ndaj shpalljes së Ungjillit në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, veçanërisht përmes kujdesit të tij të sinqertë për të varfrit dhe të margjinalizuarit. Veçanërisht vlerësojmë përpjekjet e tij të sinqerta për të nxitur një mirëkuptim më të madh ndërmjet Kishës Orthodhokse dhe asaj Katolike. Sjellim ndër mend fjalët e tij  gjatë takimeve me përfaqësuesit e Kishës Orthodhokse: “Ecim së bashku si vëllezër në rrugën e mëshirës dhe të dashurisë”. Me shpresën tek Krishti i Ngjallur i Cili: “… do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund”, lutemi që Zoti ynë, Ati i mëshirshëm, t’i japë prehje shpirtit të tij. I përjetshëm kujtimi!”, thuhet në mesazh.

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u shpreh se sot bota humbi një prinjës të madh shpirtëror dhe një zë të paqe.

“Me hidhërim të thellë morëm lajmin e kalimit nga jeta të Papa Françeskut – një prijës i madh shpirtëror dhe zë i paqes, drejtësisë dhe dashurisë. Me shumë vlerësim përkujtoj takimin tonë të fundit më 16 janar 2025 në Vatikan, ku Ai na priti me përzemërsi e dashamirësi, duke theksuar rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe bashkëjetesës. Ngushëllimet më të thella shkojnë për gjithë klerin dhe besimtarët katolikë në mbarë botën. Shpirti i Tij u prehtë në paqe! Amin!”, thuhet në reagimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian.

Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu shkruan se bota nuk ka humbur vetëm një Papë, por edhe një kryetar shteti e lider fetar që punoi shumë për paqe mes besimeve e për një botë më të qetë e të pa trazuar.

“Sot u nda nga jeta një Papë që e deshi shumë dialogun ndër fetar, e deshi shumë vendin tonë dhe vlerësoi veçanërisht Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për rolin që luan në shoqërinë shqiptare. Sot bota nuk ka humbur vetëm një Papë, por edhe një kryetar shteti e lider fetar që punoi shumë për paqe mes besimeve e për një botë më të qetë e të pa trazuar. Unë dhe Komuniteti Mysliman kemi humbur gjithashtu një mik. I shpreh ngushëllimet e mia bashkëpunëtorëve të tij të komunitetit katolik në Shqipëri dhe shtetit të Vatikanit!”, deklaron Kreu i Komunitetit Mysliman”, tha Spahiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë