Reagimi i radhës për shortin e Ligës së Kombeve, ku Shqipëria ra në një grup me Rusinë, Islandën dhe Izraelin, është ai i mesfushorit Klaus Gjasula. Për faqen zyrtare të FSHF-së ai ka thënë se grupi është i vështirë, por jo i pakalueshëm. Gjasula thekson mes të tjerash se kuqezinjtë dinë të përballen me çdo kundërshtar të fortë.
“Shorti ishte shumë interesant dhe besoj që kemi një grup që nuk është i lehtë, sidomos me Rusinë që e shohim favorite në këtë grup. Besoj se do të jenë ndeshje shumë të vështira, por gjithsesi kemi cilësitë tona. Kemi treguar se mund të përballemi me ekipe si Polonia, ose edhe Rusia, prandaj besoj që i kemi mundësitë.

Po të bëjmë paraqitje të mira dhe të kemi pak fat në anën tonë, mund t’ia dalim. Por prapë, është një rrugë e gjatë dhe duhet të jemi shumë të fokusuar kur të përballemi me këto kombëtare të tjera”, – është shprehur Gjasula, një nga lojtarët me më shumë përvojë në Kombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




