Klaudio Ranieri rikthehet në punë. Trajneri i njohur italian, pas sezonit të fundit me Sampdorian, kishte vendosur të pushonte, por tani ai rigjen Premier Ligën, ku bëri mrekullinë me Leiçesterin pak sezone më parë.
Ranieri pritet të firmosë sot me Uatfordin, ku do të zëvendësojë Munozin e shkarkuar. Italiani ka arritur marrëveshjen për një kontratë dyvjeçare me klubin anglez. Ai do të debutojë në stolin e ekipit të ri më 16 tetor, kundër Liverpulit. Ranieri, që mbush 70 vjeç më 20 tetor, është kërkuar edhe më parë nga familja Poco, që ka në pronësi Uatfordin.

Uatfordi do të jetë skuadra e katërt angleze që do të drejtohet nga trajneri roman, i cili numëron 225 ndeshje në Premier Ligë dhe ka një bilanc prej 107 fitoresh, 58 barazimesh dhe 60 humbjesh. Ai ka drejtuar Çelsin në periudhën 2000-2004, Leiçesterin në periudhën 2015-2017, duke fituar edhe titullin historik në 2016-ën, si dhe Fulhemin nga nëntori 2018 deri në shkurt 2019.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




