Ana e errët

Klandestinët hajdutë që u zbuluan nga vetëm një karrige

J. Bidki  25 vjeç , tentoi ta përdorte Shqipërinë si një urë kalimi drejt Europës. Por për shkak të pandemisë nga COVID-19, i riu ngeci në Tiranë dhe udhëtimi nga Palestina u shty për në një moment tjetër.

Nën shoqërinë e një marokeni të quajtur H. Nuoar, i cili i tregoi se si mund të mbijetonte në rrethinat e kryeqytetit, i riu palestinez filloi të vjedhë dhe së bashku u kthyen në hajdutë serial e të vështirë për t’u zbuluar.

Një trend i tillë i të huajve shëtitës që vjedhin për t’u ushqyer këto dy vitet e fundit po duket për policinë si ngjarje të zakonshme.

Por Bidki ndonëse ishte i kujdesshëm dhe i pagjurmueshëm, u zbulua nga një karrige e vetme të cilën ai e vodhi në ambjentet e jashtme të një bari sepse i duhej për strehën bosh ku jetonte.

Vjedhjen e karriges e kreu së bashku me marokenin që më herët ishte arratisur nga qendra e Karecit.

Në fashikullin e prokurorisë bëhet e qartë se Bidki u kallzua nga pronari i cili mbas humbjes së karriges në mënyrë të çuditshme kishte vërejtur tek kamera e sigurisë dhe njërin nga personat që ngjante me hajdutin, të nesërmen e pa në lokal si klient. “ Ata janë klientë prej kohësh dhe nuk mund t’i ngatërroj” këmbënguli denoncuesi”. Kaq mjaftoi dhe policia i ndaloi të dy klandestinët.

“Pas marrjes së këtij informacioni policia gjyqësore ka shkuar në vendin e treguar nga dy personat e shoqëruar dhe kanë gjetur karrigen e vjedhur ”-shkruhet në raport.

Por sapo dy të rinjtë janë zbuluar nga karrigia, u konstatua se në disa komisariate, qytetarë të ndryshëm i kishin përshkruar dy të rinjtë si hajdutë të përhershëm.

“Rezulton se me herët, për të njëjtët persona ka bërë kallëzim shtetasi B.H, roje në tregun e përzier të veshmbathjeve Laprakë, i cili kallëzon se ka kapur në flagrancë, shtetasit e vetëdeklaruar si H. Nouar dhe J. Bidki të cilët kishin hyrë në ambjentet e tregut, duke zgjidhur rrjetën e rrethimit, ku sipas rojes kishin qëllim vjedhjen në treg dhe pasi i ka kapur, ka njoftuar shërbimet e policisë gjyqësore te Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, të cilët kanë bërë shoqërimin e tyre në ambjentet e policisë, ku të pyetur rreth faktit kanë deklaruar se kanë kërkuar ndihmën e rojes për të kërkuar ujë të pijshëm, jo për të vjedhur.”

Teksa ka kqyryr kameran e sigurisë dhe i ka referuar për hetime të mëtejshme, rezulton se gjykata i ka dërguar nën masën e arrestit në qendrën e mbyllur të Karecit- thanë burimet e gazetës “Si”, që funksion në aksin “Tiranë – Durrës” për të huajt në gjendje të parregullt në Shqipëri.

Të dyshuarit janë larguar prej andej dhe për këtë arsye përveç vjedhjes iu është ngritur edhe akuza e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë