Nga Gazeta Si- Kisha Katolike ka uruar besimtarët për festën e Krishtlindjes. Të gjithë së bashku, Ipeshkvët kanë përcjellë një mesazh paqeje, shprese dhe dashurie.
“Këtë urim Krishtlindjesh duam t’ua bëjmë bashkërisht ne ipeshkvët e Shqipërisë. Do të kishim dashur që në këtë urim të ishte pjesë dhe imzot Simon Kulli, ipeshkvi i Safës, por jemi të sigurt së ai na i uron nga qielli dhe lutet për ne. Secili nga ne ka një fjalë për t’iu drejtuar popullit të zotit që është në Shqipëri, Zoti ju bekoftë të gjithëve”, thotë Imzot Gjergj Meta.
Më tej, Imzot Giovanne Peragine thotë se Krishtlindja na kujton që zoti është pranë nesh.
“Ai bëhet veçanërisht i pranishëm atje ku ka vështirësi, pasiguri dhe vuajtje. Kremtimi I krishtlindjes është të ndiesh praninë e zotit. Mos mendoni vetëm për vetveten, jo vetëm të marrim por mbi të gjitha të japim, jo të fitojmë gjithçka për vete, por të hapim dyert e zemrave ndaj të tjerëve”, thotë ai.
Më tej, Imzot Arjan Dodaj thotë se Krishtlindja është dalja nga errësira dhe populli ynë ka dalë nga fryma e errët e çdo distance e çdo mungese shprese.
“Të begatojmë familjet tona, të pranojmë me lutje e gëzim atë që po vjen. Ndryshoni dhe kthehuni tek unë thotë zoti. Nëse ne nuk jemi njerëzit e paqes si mund të themi e duam zotin nëse nuk jemi të gatshëm të falim atë që na bën një ofendim”, uron Imzot Ottavio Vitale.
Për çdo 25 dhjetor, besimtarët e krishterë festojnë lindjen e Jezus Krishtit, një datë që kremtohet me familjen e bashkuar në lutje, dashuri dhe paqe. Krishtlindja sjell mesazhin e shpresës dhe të dritës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




