Politike

Kisha Katolike: Kush shet votën, shet dinjitetin

Kisha Katolike e Shqipërisë fton qytetarët që të refuzojnë fenomenin e shit-blerjes së votës, që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 25 prillit dhe apelon për një proces të ndershëm, transparent që të garantojë respektimin e çdo vote dhe çdo votuesi

“Kush e shet votën me para, ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes, si dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari. Po ashtu, kush e blen votën me para, duke përfituar nga varfëria e votuesve, nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon që të votohet. E papranueshme më pas është fakti që, bashkëngjitur shitblerjes së votës, i shtohet edhe betimi në librat e shenjtë. Gjithashtu është e papranueshme që votimi të vijë nën formën e kërcënimit, ose pas premtimeve të vendit të punës. Puna është fryt i meritokracisë dhe jo i partitizmit, ose kahjes partiake”, thuhet në një deklaratë të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

“Si ipeshkvij, nuk na duket e rastit të votohen ata kandidatë me një të kaluar të dyshimtë. Integriteti moral duhet të jetë një conditio sine qua non, që zgjedhësi të mund të zgjedhë në liri dhe në qetësi”, lexohet ndër të tjera në këtë deklaratë.

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë shpreh vetëdijësimi i sfidave me të cilat po përballet vendi e që pas 25 prillit do të përballet të zgjedhurit e rinj.

“Në rrafshin politik, është urgjente që reforma në drejtësi, aktualisht në letër, të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur. Forcimi i mëtejshëm i institucioneve dhe efektiviteti i tyre, përbën një detyrë primare për të zgjedhurit e ardhshëm në Parlament”, thuhet në deklaratë.

Në rrafshin social, Konferenca Ipeshkvnore rendit emigracionin dhe varfërinë.

“Është e nevojshme një përkujdesje e veçantë ndaj të gjitha zonave të vendit, nga Veriu në Jug, në zonat rurale e në zonat urbane, ku shpeshherë vërehen situata ekstreme varfërie, mungesë infrastrukture dhe shërbimesh të domosdoshme, sidomos rrugë e shërbime shëndetësore”, vijon deklarata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë