Nga Gazeta Si- Kisha Katolike kërkon hartimin e një ligji që ndalon çdo formë të përhapjes së simboleve të komunizmit në ditët e sotme.
Në Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Monsinjor Angelo Massafra ka kërkuar nga institucionet hartimin dhe miratimin e një ligji që ndalon përhapjen e simboleve e parimeve të diktaturës komuniste.
Nga Shkodra, Monsinjor Angelo Massafra tha se “është e pafalshme qe ende disa televizione paraqesin filma të prodhuar nga diktatura, të cilët mbajnë gjallë komunizmin dhe i “injektojnë” parimet e diktatorit tek brezat e rinj si dhe nga veriu në jug, ka rikthime të herëpashershme të neo-komunizmit dhe forma të lartësimit të ish diktaturës komuniste të cilat fyejnë ata që kanë vuajtur si dhe shkaktojnë përplasje”.


Po ashtu kërkohet edhe rishkrimi i disa librave të historisë.
“Të miratohet një ligj i cili të parashikojë krimin e apologjisë së komunizmit njësoj si vendet europiane që kanë dënuar dhe parashikojnë sanksione të rënda për krimin e apologjisë së nazizmit dhe të fashizmit. Gjithashtu kërkojmë që librat e historisë të shkruajnë të vërtetën e komunizmit në Shqipëri”, tha Monsinjor Massafra, duke shtuar se kërkohet edhe që burgjet dhe vendet e torturës të konsiderohen dhe ruhen si Muze, si psh. Burgu i Spaçit.
“Kërkojmë që të persekutuarit politikë dhe të mbijetuarit nga burgjet të kenë shpërblimin e përshtatshëm. Aktet ligjore dhe nënligjore të përcaktojnë rregulla të qarta mbi dekoratat, titujt e nderit dhe medaljet në mënyrë që të shmanget vlerësimi dhe lartësimi i funksionarëve të organeve të diktaturës komuniste”, shtoi ai.
Kërkesa për parashikimin me ligj të krimit të “Apologjisë së Komunizmit” i është drejtuar Kuvendit, Presidentit dhe Këshillit të Ministrave.
“Nuk mund të lartësohet një njeri që ka qenë shkaktari i shkatërrimit të kombit tonë”, përfundoi Monsinjor Angelo Massafra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




