Trashëgimi

Kisha e ‘Shën Mërisë’ në Vaun e Dejës- Rindërtimi i së shkuarës nëpërmjet kujtesës, artit dhe vullnetit njerëzor

“Dasma e Gjergj Kastriotit” erdhi si një ngjarje madhore në oborrin e Kishës së Shën Mërisë, aty ku ndodhen themelet e kishës gotike, në vendin ku në vitin 1451 u kurorëzua vetë heroi ynë kombëtar. Me origjinalitet në skena masive, rite, kostumografi dhe muzikë, kjo ngjarje përkujton lidhjen e kurorës së Gjergj Kastriotit me Donika Arianitin, një martesë që historikisht është interpretuar edhe si bashkim mes jugut dhe veriut.

Nga Gazeta “SI”- Në Vaun e Dejës hapja e sezonit turistik shoqërohet me një traditë të re, po aq solemne sa dhe me rëndësi kombëtare: “Dasma e Skënderbeut”, e inskenuar nga aktorë amatorë të zonës.

E gjitha në oborrin e kishës, ku vetë Gjergj Kastrioti u martua shekuj më parë.

Kjo ngjarje ka marrë vlerë të veçantë, pasi zhvillohet në zemër të zonës ku ndodhet Kisha shtatë shekullore e Shën Mërisë, monument i njohur për dy simbolika krejtësisht kundërthënëse. E para është martesa historike e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit me Donika Arianitin, dhe e dyta, shkatërrimi brutal i kishës në vitin 1969 nga regjimi komunist.

Këto dy ngjarje, krejtësisht të kundërta, përbëjnë edhe lajtmotivin e skenarit të dasmës së Skënderbeut, që çdo vit sjell në jetë një festë që përkujton dhe refleton mbi dy anët e historisë sonë kolektive. Ideja për të bashkuar përkujtimin e dasmës së Gjergj Kastriotit me atë të shkatërrimit të kishës si një anë e errët e historisë sonë, shfaqet qartë dhe perceptohet fuqishëm nga publiku dhe të pranishmit në event.

Vau i Dejës, një perlë natyrore që po zgjerohet

Vau i Dejës është një zonë ende relativisht e panjohur për vlerat e saj të rralla natyrore dhe turistike. Territori nis në Mjedë të Shkodrës dhe shtrihet deri në Koman, duke përfshirë hapësira të virgjëra, të paprekura, dhe me bukuri të jashtëzakonshme natyrore, që synojnë të zhvillohen në një zonë turistike malore të nivelit të parë.

Në këtë terren të pacenuar, iniciativa individuale ka sjellë hapjen e disa bujtinave dhe restoranteve, të cilat frekuentohen gjatë gjithë vitit nga vizitorë nga gjithë Shqipëria dhe diaspora, sidomos gjatë muajve të verës.

Por Vau i Dejës nuk njihet vetëm për natyrën, por edhe për traditat e veçanta që e karakterizojnë,  nga artizanati, burim i rëndësishëm i të ardhurave për gratë e zonës, e deri te trashëgimia kulturore dhe shpirtërore, ku veçon Kisha e Shën Mërisë, vendi ku u lidh martesa e heroit kombëtar me Donikën.

Për të përkujtuar këtë ngjarje madhore, në Vau të Dejës është krijuar edhe një trupë teatrore që inskenon dasmën e Skënderbeut jo vetëm në festa lokale, por edhe në Austri, Kosovë e Gjermani, duke e çuar kështu trashëgiminë kulturore të zonës edhe përtej kufijve.

Dasma e Gjergj Kastriotit -Një rikthim shpirtëror i heroit

“Dasma e Gjergj Kastriotit” erdhi si një ngjarje madhore në oborrin e Kishës së Shën Mërisë, aty ku ndodhen themelet e kishës gotike, në vendin ku në vitin 1451 u kurorëzua vetë heroi ynë kombëtar. Me origjinalitet në skena masive, rite, kostumografi dhe muzikë, kjo ngjarje përkujton lidhjen e kurorës së Gjergj Kastriotit me Donika Arianitin, një martesë që historikisht është interpretuar edhe si bashkim mes jugut dhe veriut.

Antonio , djali që luan rolin e Skenderbeut në dramë thotë për GazetaSi.al se është nder dhe kënaqësi sa herë e luan dhe e riluan këtë rol. Sipas tij ky  është edhe një angazhim në zhvillimin e artiti të qytetit.

“Emocionet rriten çdo herë që marr ftesën për ta interpretuar këtë rol e njëkohësisht është një kënaqësi, një privilegj dhe një përgjegjësi. Të luash Dasmën e Skënderbeut jashtë kufijve tanë, në vende si Vjena, Graz-i, Stublla apo Peja, është një emocion krejt i veçantë. Dhe tashmë jemi duke pritur me padurim ftesat e radhës. Sa i përket përfshirjes së të rinjve në aktivitete të tilla, ndjehem i kënaqur sepse sa herë marrim përsipër të organizojmë diçka autentike, shqiptare dhe me vlerë për identitetin tonë, ata janë gjithmonë të gatshëm dhe mbështetës.” thotë ai

Perkujtimi i kësaj dasme, që në shfaqjen e parë dhe në skenat e mëvonshme në Vjenë, Frankfurt e Pejë ka dhënë emocione të papërsëritshme. Kjo tregon disa nga të vërtetat e diskutueshme historike janë gjithmonë të gatshme për t’u rishqyrtuar dhe përditësuar me kontributin e artit dhe komunitetit.

Kisha e Shën Mërisë- Një histori shekullore mes festës dhe fatkeqësisë

Kisha Shën Mërisë është ndërtuar në këmbë të malit të Dejës, pranë rrënojave të qytezës dhe fortesës mesjetare të Danjës, që për herë të parë u përmend si qendër peshkopale në vitin 361. Në këtë kishë thuhet se u kurorëzua Skënderbeu, ndërsa pranë saj ndodhet varri i Lekë Zaharisë, një tjetër figurë e rëndësishme historike.

Kisha, e njohur edhe si Lindja e Zojës, është ndër kishat më të vjetra të Shqipërisë që ka rezistuar shekuj shkatërrimesh, derisa në vitin 1969 u shkatërrua plotësisht nga regjimi komunist. Ajo ka qenë e ndërtuar në fund të Kalasë së Danjës, në luginën e malit të Dejës, dhe mendohet të ketë origjinën rreth viteve 1300.

Si një ndërtim tipik i stilit gotik të shekullit të XIII, kisha kishte një planimetri të thjeshtë me një nefshe dhe absidë rrethore në anën lindore. Ajo përfaqësonte një nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë arkitekturore mesjetare në Shqipëri.

Iniciativa për restaurimin e Kishës. Një nismë qytetare

Iniciatori i nismës për restaurimin e Kishës së Shën Mërisë, Prof. Primo Shllaku, rrëfen për GazetaSi.al se nismën e tij e kanë mbështetur grupi i arkitektëve, restauratorëve dhe ndërtuesve, të cilët janë specialistë të objekteve të kultit dhe trashëgimisë kulturore.

“Ideja dhe propozimi për restaurimin e Kishës së Shën Mërisë ka qenë e imja dhe e një grupi të përbashkët pune. Pastaj, grupi i arkitektëve, ndërtuesve dhe restauratorëve, që merren vetëm me objekte kulti dhe të trashëgimisë, hartuan projektin dhe skicën, ndërsa një ndërmarrje që vepron jashtë Shqipërisë mbështeti këtë projekt,” – shpjegon Shllaku.

Ai nënvizon një aspekt historik me peshë:

“Kisha e Shën Mërisë, ku u martua Gjergj Kastrioti me Donika Arianitin, ka qenë e vetmja kishë romanike në Europën Juglindore, dhe kjo ishte arsyeja pse u hodh në erë nga komunistët. Kisha përfaqësonte një sinjal të qartë se Shqipëria mund të ishte një udhëheqëse në zhvillimin dhe praninë perëndimore. Kjo përbënte rrezik për bllokun lindor, dhe rrënimi i saj ishte një përpjekje për të shuar kujtesën dhe simbolikën e dasmës së Gjergj Kastriotit, e cila jo pa arsye ishte zgjedhur si vendi i kurorëzimit të martesës së tij.”

Në prag të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, Vau i Dejës po shndërrohet në një destinacion që ofron jo vetëm bukuri natyrore, por edhe një udhëtim nëpër histori dhe identitet. Restaurimi i Kishës së Shën Mërisë dhe ngjarja e përvitshme e dasmës së Skënderbeut janë pjesë e kësaj  përpjekjeje për të lidhur të kaluarën me zhvillimin ekonomik dhe kulturor të komunitetit.

Trupat teatrore, artizanati, bujtinat dhe mikpritja e komunitetit po krijojnë mundësi që kjo zonë të njihet si një model i mirë për bashkëjetesën e trashëgimisë historike me turizmin modern.

Në këtë mënyrë, Vau i Dejës i jep jetë historisë dhe trashëgimisë, duke treguar se përmes kujtesës dhe angazhimit të komunitetit mund të ndërtohet një e ardhme premtuese , ku historia rikujtohet,  festohet dhe çmohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë