Futboll

Kinezët zgjohen nga ëndrrat, tregojnë pse humbën Milanin

“U zgjova dhe makthi ishte i vërtetë. Nuk ishte një ëndërr”. Pothuajse 18 muaj pas humbjes së pronësisë së Milanit për më pak se dhjetë milionë euro, David Han Li, krahu i djathtë i ish-presidentit të kuqezinjve, Yonghong Li, zgjedh revistën amerikane “Forbes” për të folur dhe shpjeguar arsyet e falimentimit të klubit kuqezi. Ka nga pak për të gjithë.

Fuqia mediatike

Shënjestra e parë e ish-drejtuesit të Milanit është shtypi. “Në Nëntor 2017, menjëherë pas nënshkrimit të kontratës për rifinancimin e borxhit, u shfaq një artikull i dëmshëm i New York Times, – thotë Han Li. – Pastaj, mëngjesin tjetër, në të cilin filluam procesin e rifinancimit të borxhit në Londër, mediat italiane filluan të sulmonin përsëri. Kush e kishte gjithë këtë informacion të rëndësishëm?”

Sipas ish-krahut të djathtë të Yonghong Li, personi përgjegjës është mjaft i qartë: “Nëse kujtoj saktë, në shkurt 2018, pyeta një nga njerëzit e Elliott, nëse ishin përgjegjës kryesorë për sulmet në media dhe nëse donin ta merrnin klubin. Natyrisht, ata e mohuan. Ne kishim dëgjuar të flitej për reputacionin e fondit, por nuk isha i sigurt nëse historitë ishin të vërteta… deri në fund. Ne kishim nevojë për rifinancimin e borxhit, por kjo nuk ndodhi, nuk shkoi aq mirë sa prisnim”.

Fuqi të forta

Jo vetëm fondi amerikan i investimeve, megjithatë, sipas David Han Li, do t’iu vinte shkopinj nën rrota pronarëve të rinj kuqezinj, që vinin nga Kina: “Problemet nuk kishin të bënin me tifozët, por me njerëzit e nivelit të lartë, të rëndësishëm, ata që kishin fuqinë për të mbrojtur interesat e tyre. Ata u përpoqën të bënin gjithçka për të qëndruar larg nesh, për të na mbajtur larg”.

Asnjë koment për vendimin e qeverisë kineze për vendimin rreth investimeve jashtë vendit, i cili kufizoi ashpër gamën e veprimeve të ish-pronarëve të rinj të Milanit. Megjithatë, Han Li dëshiron ta heqë një “guralec nga këpucët”, kundrejt Silvio Berlusconi-t: “Ne e kishim ftuar atë të bëhej president nderi. Në fillim pranoi, por më pas, disa ditë para mbylljes së marrëveshjes, tha se nuk mund të pranonte ofertën tone. Ka shumë arsye pse ne ia ofruam këtë pozicion. Historia e tij e bukur nuk mund të harrohej. Pastaj, kishte ndikimin e tij, imazhin e tij dhe marrëdhëniet e tij. Ishim të rinj në Itali dhe shpresuam të kishim dikë, që mund të na ndihmonte”.

Keqardhje

Në vend të kësaj, sipas David Han Li, kinezët e gjetën veten vetëm dhe në një terren armiqësor: “Ne mund t’i kishim zgjedhur të gjithë zyrtarët kinezë, por nuk e bëmë atë në respekt të tifozëve kuqezinj. Nuk donim që ata të mendonin se po ju vidhnim klubin. Megjithatë, kjo u përdor kundër nesh nga disa njerëz, për shkak të mirësisë dhe ndershmërisë sonë. Duhej të vendosnim mesatarisht 10 milion euro në muaj, por kapitali që klubi fillimisht kishte nevojë ishte shumë më pak. Ne duhej të investonim më shumë kapital në kompani, në klub. Shuma ishte shumë më tepër sesa prisnim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë