Lufta tregtare e nisur nga Donald Trump kundër Kinës ka nisur të reflektohet edhe në fusha të tjera, ku përplasen dy vendet. Një prej tyre është edhe Deti i Kinës së Jugut, një hapësirë ujore për të cilën Pekini pretendon sovranitetin, ndërsa SHBA i cilëson ujëra ndërkombëtare.
Kjo zonë, që është nyje strategjike lundrimi, peshkimi dhe që besohet se strehon edhe sasi të mëdha nafte e gazi, prej vitesh është një temë delikate në raportin mes Uashingtonit dhe Pekinit. Kina ka disa vite që ka nisur punën për ndërtimin e disa ishujve artificialë në këtë zonë dhe pretendon tashmë sovranitetin e ujërave përreth këtyre ishujve.
Nga ana tjetër, SHBA i konsideron ujëra ndërkombëtare dhe lundron e fluturon mbi to me anije e avionë luftarakë në mënyrë rutinë. Një nga këto lundrime rutine për pak u shndërrua në një incident të rëndë ushtarak mes dy vendeve.
Ushtria amerikane njoftoi se luftëanija e saj “USS Decatur” u detyrua të ndërrojë kurs lundrimi nga luftëanija kineze, “Luyang”. Kjo e fundit është vënë në një kurs përplasjeje me anijen amerikane dhe ka injoruar thirrjet për ndryshim trajektoreje.
Përplasja është shmangur nga anija amerikane, që thotë se kinezët u afruan deri në 41 metra dhe po të mos ishte manovrimi i Nat Christensen, komandant i “USS Decatur”, një tragjedi do të kishte ndodhur.

Territori ku përplasen herë pas here Uashingtoni me Pekinin pretendohet edhe nga vende të tjera, si Tajvani, Filipinet, Brunei, Malajzia dhe Vietnami.
Por, ndryshe nga këto vende, Kina pretendon një “kafshatë” gjigante, që afrohet pak milje larg brigjeve të Malajzisë dhe zotohet të mbrojë territorin e pretenduar.
“SHBA dërgon vazhdimisht anija ushtarake të pautorizuara në detin e Kinës së Jugut, duke kërcënuar seriozisht sovranitetin dhe sigurinë e Kinës, duke dëmtuar seriozisht bashkëpunimin ushtarak sino-amerikan dhe duke dëmtuar seriozisht paqen dhe stabilitetin rajonal”, deklaroi së fundmi Ministria e Mbrojtjes në Kinë.
Incidenti mbërrin në kulmin e luftës tregtare, ku dy vendet kanë shumëfishuar tarifat importuese për disa produkte respektive, por edhe për shkak të sanksioneve që SHBA vendosi ndaj ushtrisë kineze, një vendim që u mor pasi Kina bleu avionë ushtarakë nga Rusia dhe sisteme mbrojtëse tokë-ajër.
Kina është kundërpërgjigjur duke anuluar një takim të përbashkët me Sekretarin e Mbrojtjes, Jim Mattis, parashikuar për këtë muaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




