Kina ka hequr masat e karantinës për gjithë ata që hyjnë në vend dhe ka rihapur kufirin me Hong Kongun, pas gati tre vitesh qëndrimi të ashpër kundër Covid-19, ndërkohë që vendi aziatik përballet me valën më të keqe të infeksioneve që nga fillimi i pandemisë.
Heqja e masave të karantinës u prit me entuziazëm nga udhëtarët e parë që zbarkuan në aeroportet kineze dhe vjen me synimin për të ulur nivelin e sëmundjes, për të cilën Kina nuk jep më të dhëna ditore të infektimeve.
Hyrja në fuqi e lehtësimit të politikës së “tolerancës zero” ndaj virusit, vjen pak ditë para Vitit të Ri hënor, i cili këtë vit bie më 22 janar, dhe me fillimin e “chunyun”, ose periudhës prej rreth dyzet ditësh, gjatë së cilës kinezët lëvizin brenda vendit për t’u kthyer në vendet e tyre të origjinës, ose për të shkuar me pushime me familjen gjatë pushimeve.
Mbi dy miliardë pasagjerë pritet të lëvizin në trenat kinezë në natën e parë të Vitit të Ri, çka mund të shkaktojë valë të reja infeksionesh në vend dhe parashikimet pasqyrojnë një situatë tejet kritike.
Grupi britanik e të dhënave shëndetësore Airfinity vlerësoi, në përditësimin e fundit, se që nga 1 dhjetori i kaluar ka pasur 35.6 milionë infeksione në vend dhe 209 mijë vdekje (ndërsa zyrtarisht janë shpallur pak më shumë se njëzet).
Vala aktuale do të arrijë kulmin e saj më 13 janarin e ardhshëm, me 3.7 milionë infeksione në ditë, ndërsa kulmi i vdekjeve do të ndodhë dhjetë ditë më vonë, në një nivel prej 25 mijë në ditë. Vlerësimi i vdekjeve deri në fund të prillit mbetet i pandryshuar, në 1.7 milionë.
Nëse në Pekin do të ishte arritur tashmë kulmi i infeksioneve të kësaj vale, shtrimet në spital dhe vdekjet do të arrijnë kulmin brenda dy javëve të ardhshme, ndërsa në shkallë kombëtare një kulm i ri i infeksioneve pritet më 3 mars të ardhshëm, kur Airfinity vlerëson 4.2 milion infeksione.
Heqja e kufizimeve, e cila ndodhi njëkohësisht me valën e infeksioneve në vend, ka bërë që disa vende, përfshirë Italinë, të vendosin tamponin e detyrueshëm për ata që hyjnë në vend nga Kina, duke ngjallur acarimin e Pekinit, i cili ka kërcënuar me kundërmasa dhe ka kritikuar rëndë vendimet e qeverive që kanë vendosur kufizime për udhëtarët nga Kina.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




