Gazeta Si – Kina ka shprehur shqetësimin për “daljen e SHBA nga marrëveshja e Parisit për klimën”, sipas urdhrit ekzekutiv të nënshkruar të hënën nga Donald Trump, i cili sapo ishte kthyer në Shtëpinë e Bardhë.
“Kina është fuqimisht e përkushtuar për t’iu përgjigjur krizës klimatike dhe do të promovojë së bashku tranzicionin e energjisë në shkallë globale”, – komentoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun.
Pozicioni i Pekinit në lidhje me zgjedhjen e Trump për t’u larguar nga OBSH është gjithashtu shumë kritik.
Roli i Organizatës Botërore të Shëndetësisë “duhet vetëm të forcohet dhe jo të dobësohet, – shtoi Guo Jiakun. – Kina do të vazhdojë të mbështesë OBSH-në në marrjen e përgjegjësive të saj”.
Trump, gjatë nënshkrimit, u ankua për pagesat shumë të ulëta të Kinës ndaj OBSH-së në raport me popullsinë e saj.
Pavarësisht dyshimeve për lëvizjet e para të presidentit amerikan, Kina “është e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë e re amerikane, nën drejtimin strategjik të krerëve të shteteve të dy vendeve, në përputhje me parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit reciprokisht të dobishëm”, shtoi Guo Jiakun, duke shpjeguar se palët duhet “të ruajnë komunikimin, të forcojnë bashkëpunimin, të menaxhojnë siç duhet dallimet dhe të nxisin përparim më të madh në marrëdhëniet dypalëshe nga një pikënisje e re”.
Nga ana tjetër, Rusia pret që, në diskutimet e tyre dypalëshe për kontrollin e Kanalit të Panamasë, presidenti i SHBA Donald Trump dhe qeveria panameze “do të respektojnë regjimin aktual ligjor ndërkombëtar të kësaj rruge”, që duhet qëndrojnë “të sigurt dhe të hapur”.
Zëvendësministri i Jashtëm, Serghei Ryabkov e bëri këtë deklaratë për agjencinë e lajmeve “Tass”, sipas të cilit ky regjim ligjor mbetet i përcaktuar nga traktati i vitit 1977 midis SHBA-së dhe Panamasë.
Mes ministrave të financave të BE-së “ne të gjithë jemi dakord që Evropa duhet të mbetet e bashkuar në qasjen e saj ndaj administratës së re amerikane”.
Kështu tha ministri polak i Financave, Andrzej Domański, kryetar i radhës i BE-së, para fillimit të takimit të Këshillit Ekonomik dhe Financiar të BE-së në Bruksel.
Ministrat e Ecofin kanë pasur një darkë joformale të hënën në mbrëmje, ku ndër temat e diskutuara ishin edhe marrëdhëniet transatlantike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.