Shkencë

Kina bën histori! Merr mostra nga ana e errët e Hënës, fillon rikthimi në Tokë

Një sondë kineze që mbante mostra nga ana e largët e Hënës ka filluar udhëtimin e saj të kthimit në Tokë, e para në botë dhe një arritje e madhe për programin hapësinor të Pekinit.

“Moduli ngjitës i sondës Chang’e-6 u ngrit nga sipërfaqja hënore dhe hyri në një orbitë të paracaktuar rreth Hënës”, tha Administrata Kombëtare e Hapësirës së Kinës (CNSA).

Kjo ishte anija e parë që u ngrit me sukses nga ana e largët e satelitit, ndërsa agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua që e përshkruan nisjen si “një arritje të paprecedentë në historinë njerëzore të eksplorimit hënor”.

Analiza e mostrave që po sjell do t’i lejojë shkencëtarët “të thellojnë kërkimin mbi formimin dhe historinë evolucionare të hënës”, u shpreh zëdhënësi i misionit Chang’e-6, Ge Ping.

Ai gjithashtu do të ofrojë njohuri mbi “origjinën e sistemit diellor, duke hedhur një themel të përmirësuar për misionet e mëvonshme eksploruese”, shtoi ai.

Chang’e-6 përmban dy metoda të mbledhjes së mostrave: një krah për të mbledhur materialin nën sipërfaqe dhe një krah robotik për të kapur ekzemplarët mbi sipërfaqe.

Pasi mblodhi me sukses mostrat e tij, “një flamur kombëtar kinez i mbajtur nga anija u shpalos për herë të parë në anën e largët të hënës”, tha Administrata Kombëtare e Hapësirës së Kinës.

Shkencëtarët thonë se ana e errët e Hënës, quhet kështu sepse është e padukshme nga Toka, jo sepse nuk kap kurrë rrezet e diellit.

Materiali i mbledhur nga ana e largët mund të hedhë më mirë dritë mbi mënyrën se si u formua Hëna në radhë të parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë