Futboll

Kin, Zaniolo dhe Pinamonti, shpresë për futbollin italian

Problemi më i madh i futbollit italian që mes të tjerash në vitet e fundit ka shkaktuar edhe rënien e madhe të futbollit italian, ka qenë numri i pakët i talenteve. Por kjo çështje shumë e madhe dhe një “sëmundje” për futbollin Apenin duket se këtë sezon po shkon drejt fundit. Mes shumë talenteve premtues në akademitë më të mira italianë, tre janë futbollistët që po tërheqin vëmendjen e opinionit publik. Moize Kin, Niko Zaniolo dhe Andrea Pianmonti po shkëlqejnë këtë sezon, me gola dhe performanca shpresëdhënëse.

Nëse për Zaniolin ka disa muaj që flitet, pasi ka shpërthyer te Roma që në muajin tetor dhe Kin u konfirmua edhe me kombëtaren javën e shkuar, këtë fundjavë një tjetër talent ka zënë vend në faqet e para të medieve në Itali. Andrea Pinamonti, 19-vjeçari në pronësi të Interit po bën shumë mirë me Frosinonen dhe është i vetmi që jep shpresë nga ekipi që është i destinuar për të rënë nga kategoria. Ndryshe nga Kin dhe Zaniolo që janë në ekipe të mëdha dhe mjafton një performancë e mirë, për Pinamontin ka qenë pak më e vështirë.

I dalë nga akademia e Interit, vitin e shkuar ai ishte pjesë e stolit të Interit, por pa mundur dot të gjejë minuta aktivizimi, pasi edhe konkurrenca ishte shumë e ashpër. Por këtë sezon, të Frosinone ai është golashënuesi më i mirë dhe rrjeta e shënuar kundër Parmës në fitoren 3-2, ishte e pesta për këtë kampionat. Andrea Pinamonti ka agjent një nga më të mirët në botë, Mino Raiolën dhe nuk do duhej të habiteshim nëse vitin e ardhshëm rikthehet në Milano te Inter, ose edhe në ndonjë tjetër ekip të madh të Serisë A. Huazimi te Frosinone përfundon në muajin maj dhe pritet të vendoset për sezonin e ardhshëm se ku do të luaji 19-vjeçari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë