Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim i këshilloi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të shqyrtojë mundësinë e ndalimit të telefonave në qendrat e votimit në procesin e 25 prillit.
Kim foli në një intervistë për News24. Ajo tha se kjo masë do të ndikonte në goditjen e fenomenit të shit-blerjes së votës.
“Do të ishte e dobishme nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeeve do të siguronte që celularët të mos lejohen në qendrat e votimit”, tha Kim.
Kjo masë, sipas Kim, do të pamundësonte fenomenin e fotografimit të votës dhe më pas ta tregojnë këtë fotografi tek “blerësi” i saj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi po ditën e enjte se ishte në fazën përfundimtare të bisedimeve me kompaninë që do të realizojë identifikimin biometrik të votuesve. Por, kreu i këtij institucioni, Ilirjan Celibashi u shpreh se teknologjia nuk do të përfshihet nëse mes palëve kryesore politike nuk ka dakordësi.
Kim kërkoi që teknologjia për identifikimin të zbatohet, duke e cilësuar atë së bashku me video-vëzhgimin e qendrave të votimit e numërimit si mekanizma që garantojnë një proces sa më të drejtë e të ndershëm zgjedhor.
Ambasadorja ceku edhe çështjen e dekriminalizimit, duke bërë drejtpërdrejtë përgjegjës kryetarët e partive për verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve për deputetë.
“I flas zotit Rama si kreu i PS, i flas zotit Basha si kreu i PD, i flas edhe zonjës Kryemadhi! Po i flas kujtdo që drejton një parti politike: është përgjegjësia juaj dhe po ju flas ju”, tha Ambadadorja.
Javët e fundit janë vënë re lëvizje nga njëri kah i politikës në tjetrin. Kim nuk përmendi emra, por tha se është e papranueshme që një person i përjashtuar nga një parti për shkak të mungesës së pastërtisë së figurës të pranohet në nga një parti tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.