Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka mbledhur të gjithë paraardhësit e saj në këtë detyrë në Shqipëri në një takim informal.
Takimit të diplomatëve u mungon vetëm Ambasadori John Withers dhe Ambasadori Donald Lu, që ushtroi detyrën në Shqipëri para Alexander Arvizut.
Në tryezë janë ambasadori i parë i SHBA në Shqipëri pas rënies së komunizmit, Bill Ryerson, ambasadorja Marisa Lino, që ushtroi detyrën në periudhën më të vështirë në Shqipëri; trazirat e 1997-s. Më pas me radhë janë Jim Jeffrey, Marcie Ries dhe Alexander Arvizu.
Kim e shoqëron foton e publikuar nga ky takim me një shënim.
“Secili prej nesh, thotë ambasadorja, kemi pasur përvoja të ndryshme gjatë 31 viteve që kur qytetarët shqiptarë u çliruan nga zinxhirët e diktaturës komuniste, por kemi një të përbashkët të madhe”.
E përbashkëta?
“Besimin se lidhja mes popullit amerikan dhe atij shqiptar është vërtet speciale, admirimin se sa shumë qytetarët shqiptarë janë zhvilluar, pavarësisht sfidave dhe optimizmin e përhershëm për të ardhmen”, mbyll reagimin e saj Ambasadorja Kim.
Takimi i Kim me paraardhësit e saj amerikanë në Tiranë mbërrin në ditë kur Ambasadorja akuzohet nga Sali Berisha për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe në proceset e brendshme zgjedhore të Partisë Demokratike.
Berisha thotë se Kim po ndjek një agjendë personale dhe jo të Departamentit të Shtetit. Megjithatë, në vizitën në Tiranë javën e kaluar, zv.ndihmës Sekretarja për Europën dhe Azinë, Karen Donfried shmangu Berishën dhe takoi në cilësinë e drejtuesve të opozitës Enkelejd Alibeajn, Jorida Tabakun dhe Gazment Bardhin. Donfried tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se Ambasadorja Yuri Kim gëzon mbështetjen e plotë të Presidentit Biden dhe të Sekretarit Blinken.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.