Gazeta Si – Era po fryn në megalopolin turk dhe flamujt gjigantë elektoralë të varur në sheshin “Taksim”, valëviten dukshëm.
Në qendër, imazhi i Kemal Kiliçdaroglu, kandidat i koalicionit opozitar, është i rrethuar nga katër postera të kundërshtarit të tij.
“Gandi turk”, siç e quajnë për karakterin, por edhe për pamjen e tij, është i sigurt se do të fitojë, i flet turmës, duke mbajtur në dorë një qepë, simbol i kostos së lartë të jetesës.
“Suksesi zgjedhor i forcave të demokracisë, lirisë dhe drejtësisë, do të jetë një pikënisje e shkëlqyer për festimin e 100-vjetorit të Republikës sonë”, thotë ai në një intervistë për “Corriere della Sera”,-n.
Një njeri i butë, i konsideruar jo shumë karizmatik, lideri i CHP-së, Partia Laike e themeluar nga Ataturku, ka arritur të ndërtojë një aleancë shumë heterogjene të nacionalistëve, liberalëve dhe socialdemokratëve.
Më pas, dje erdhi lajmi për tërheqjen nga gara presidenciale të Muharrem Inçes, një ish-partiak i tij, i cili mund t’i hiqte pikërisht ato vota të nevojshme për të fituar në raundin e parë. “Të lëmë mënjanë inatet, – ishte ftesa e tij, – bashkohuni me ne”.
Kriza ekonomike dhe reagimi i ngadaltë ndaj tërmetit të 6 shkurtit, kanë kontribuar në humbjen e popullaritetit të presidentit Erdogan. Mendoni se do të jetë në gjendje ta mposhtni këtë herë?
Fitorja ime dhe e Aleancës së Kombit në zgjedhjet e së dielës, janë hapi i parë i rëndësishëm për të dalë nga kriza ekonomike, politike dhe sociale që po përjetojmë, sepse do të zëmë në mënyrë demokratike vendin e një regjimi tejet autoritar.
Siç u premtuam turqve, ne do të sjellim pranverën në çdo aspekt të jetës së qytetarëve tanë. Është e qartë se puna e vërtetë do të fillojë më 15 maj.
Do të marrim masa për t’i dhënë fund krizës ekonomike dhe do të riorganizojmë sistemin në mënyrë që kriza të tilla të mos ndodhin në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë do të luftojmë korrupsionin dhe do të kërkojmë mbrapsht paratë publike të vjedhura nga oligarkët.
Dua të nënvizoj gjithashtu se në 14 maj, nuk do të jenë votuesit tanë ata që fitojnë, por edhe ata që nuk na votuan. Sepse më 15 maj do të fillojë një epokë e re në të cilën askush nuk do të margjinalizohet, nuk do të trajtohet me armiqësi apo nuk do të përjashtohet. Mirëqenia, paqja dhe lumturia e qytetarëve tanë do të jenë prioriteti ynë.
Ju keni qenë disa herë në rajonin e shkatërruar nga tërmeti shkurtin e kaluar. Si ka qenë reagimi i qeverisë ndaj tragjedisë dhe si do të mund të votohet në ato qarqe?
Shkaku i fatkeqësisë së 6 shkurtit gjendet në marrëdhëniet klienteliste, të cilat çuan në shpërfilljen e rregullave bazë në ndërtimin e ndërtesave dhe dhënien e amnistive për ndërtimet me cilësi të dobët. Ndërsa ekipet e shpëtimit u përpoqën të shpëtonin jetë, disa filluan operacione të nivelit të ulët.
Për shembull, Gjysmëhëna jonë e Kuqe, një institucion për ne, ka shitur materiale që duhet t’u jepeshin falas qytetarëve. Në 72 orët e para, më kritike, nuk u përdorën ushtarët.
Ju jeni lideri i një koalicioni shumë heterogjen që shkon nga e djathta nacionaliste në të majtë, nga islamistët, te laikët. A do të jeni në gjendje t’i mbani të gjithë së bashku nëse fitoni?
Ka më shumë se 2000 objektiva në programin tonë. Kemi arritur një marrëveshje për politikat ekonomike, arsimore, sociale dhe të politikës së jashtme që do të na mbajë në hap me vendet më të përparuara.
Është e qartë se në Aleancën tonë ka ide të ndryshme, por kjo e përforcon pluralizmin. E rëndësishme është që anëtarët e Aleancës të bien dakord për parimet themelore, që janë rivendosja e një shteti në të cilin nuk do të ketë diskriminim ideologjik, fetar, gjuhësor, racor, gjinisë apo identitetit.
Diferenca e mendimeve brenda nesh, është garancia se do të ndërtojmë një sistem politik të vërtetë demokratik për të gjithë, i cili do të funksionojë pa diskriminim. Ne do ta pengojmë shtetin të imponojë një ideologji apo një fe.
HDP, partia pro-kurde, nuk ka paraqitur një kandidat presidenciale dhe u ka bërë thirrje votuesve të votojnë për ju. Cili është plani juaj për të zgjidhur çështjen kurde dhe luftën kundër PKK-së?
Qeveria aktuale i quan qytetarët kurdë vëllezër kur u përshtatet dhe i trajton si terroristë kur nuk kanë nevojë për ta.
Për përfitime politike luan me dinjitetin e miliona qytetarëve dhe i largon ata nga shteti. Prandaj them që zgjidhja duhet kërkuar në Parlament.
Aty do zgjidhim problemet tona. Do të ketë gjithashtu një luftë të gjithanshme kundër të gjitha organizatave terroriste dhe kriminale, përfshirë ato separatiste. Vendi ynë duhet të kthehet të respektohet në rajon, i lirë nga hija e organizatave të dhunshme dhe kriminale.
Sipas Kushtetutës, presidenti mund të qëndrojë në detyrë për maksimum dy mandate, por Erdogan kandidon për një të tretë. Si ishte e mundur kjo?
Ne pamë se çfarë ndodhi në zgjedhjet komunale në Stamboll të vitit 2019. Qeveria e detyroi rivotimin me argumente të pakonceptueshme. Por në votimin e dytë, populli i Stambollit i dha një mësim të mirë.
Kësaj radhe rregullat e Kushtetutës janë injoruar, por e dimë se si do të përfundojë.
E rëndësishme është që preferencat e qytetarëve të pasqyrohen në sondazhe. Ashtu si në vitin 2019, fitorja jonë do të konfirmohet kur të numërohen votat. Kombi do të fitojë, demokracia do të mbizotërojë.
Erdogan dënoi pushtimin rus, por nuk mbështeti sanksionet e vendosura ndaj Moskës. Vitet e fundit ka pasur fërkime me NATO-n dhe SHBA-në. Si do të ndryshojë politika e jashtme?
Aktualisht politika jonë e jashtme është një problem i madh për marrëdhëniet ndërkombëtare.
Vendimet merren nga një pakicë nëse jo nga një person. Institucioneve turke, me përvojë shekullore pas tyre, u është hequr autoriteti.
Rezultati është një rritje e rreziqeve ndërkombëtare për ne. Edhe pse Turqia është një nga vendet më të rëndësishme në rajon dhe ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, aleatët nuk na besojnë pikërisht për shkak të kësaj qasjeje të një njeriu ndaj udhëheqjes së politikës së jashtme.
Ne do të bëjmë që interesat tona gjeopolitike dhe sovraniteti ynë të mbizotërojnë mbi gjithçka tjetër.
Presidenca ime dhe Aleanca e Kombit do të rivendosë reputacionin tonë ndërkombëtar, ne do të ndjekim një politikë të jashtme që do të marrë parasysh interesat e vendit dhe do të bashkëpunojë me kombet e tjera.
Ne do të përdorim pozicionin tonë të favorshëm gjeopolitik duke përdorur një qasje që respekton të drejtën ndërkombëtare, paqen dhe prosperitetin tonë. Filozofia “Paqe në shtëpi dhe në botë”, do të bëjë një rikthim të lavdishëm në aksionin tonë.
Ju keni premtuar se do t’i ktheheni demokracisë parlamentare dhe do të rivendosni ndarjen e pushteteve (shënim i redaktorit: legjislativ, gjyqësor, ekzekutiv). Për ta bërë këtë, atij do t’i duhet një shumicë e madhe.
Fokusi ynë kryesor është te këto padrejtësi. Me rikthimin e sistemit parlamentar, do të ndryshojmë Këshillin e Lartë të Gjyqtarëve dhe atë të Prokurorëve.
Dy institucionet do të jenë të ndara. Për të përforcuar parimin e pavarësisë, ministri i Drejtësisë dhe zëvendësi i tij nuk do të jenë pjesë e Këshillit të Lartë, anëtarët e të cilit do të zgjidhen në mënyrë demokratike.
Nuk do të ketë më ngritje në detyrë në sistemin gjyqësor në varësi të përkatësisë në këtë apo atë grup, do të shqyrtojmë edhe pozicionin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë kryer krime, do të sanksionohen nga organet që do të bëhen sërish të pavarur.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka dënuar Turqinë për ndalimin e Osman Kavala dhe Selahattin Demirtas. Por ata nuk janë vetëm, shumë njerëz janë arrestuar ndër vite vetëm për të shprehur idetë e tyre. Ju vetë drejtuat Marshimin e Drejtësisë në vitin 2017 për të protestuar kundër arrestimit të kolegut tuaj partiak, Enis Berberoğlu. Si do ta rregulloni?
Sa i përket Demirtashit dhe Kavalës, lirimi i tyre nuk është në kompetencën tonë, por me rifitimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së sistemit gjyqësor, jam i sigurt se vendimet e Gjykatës Evropiane do të respektohen.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje