Tenistët e thonë gjithmonë: lojtari i madh duket në ditë të këqija, të gjithë dinë të japin spektakël kur çdo gjë është e lehtë. Vlen për “Wimbledon”-in, por edhe për “Wembley”-n, tempujt e raketës dhe futbollit. Vlen edhe për skuadrën e Mançinit, që ka shkuar në finale të Europianit. Ndaj Spanjës vuajti, rrezikoi, nuk luajti futbollin më të mirë që ka, por në fund u kualifikua.
Me dëshirë dhe karaktar, duke u kapur pas atyre që nuk kanë frikë as në momentet më të vështira. Bonuçi dhe Kielini, për shembull, ata kanë mijëra beteja mbi shpatulla dhe ofrojnë gjithmonë siguri. Në shëtitjen e dytë të italianëve në “Wembley”, përveç tyre, të mëdhenj ishin edhe tre “axurrë” të tjerë: Kieza, Donaruma dhe Zhorzhinjo, në rend kronologjik sipas momentit kur rrëmbyen skenën.
Dikur italianët thoshin “duhet të kesh Feden” vetëm kur notonte Pelegrini. Për herë të dytë në Euro 2020, kjo fjali është për Federikon, djalin e Enrikos. Pjesa e parë e juventinit nuk shkoi mirë, dukej mbrëmja klasike e errët: i shërbyer pak, jo i kthjellët për të thyer dominimin spanjoll. Për në topin e parë vërtet të mirë, të fituar me zgjuarsi pas mbylljes së Laportes ndaj Imobiles, nuk dështoi. Me të majtën shënoi ndaj Uellsit, me të djathtën ndaj Spanjës. Fatin e ka të shkruar, por fatin edhe duhet ta kërkosh.
Para dhe pas golit të Kiezës ishte një super Donaruma. Me reflekse të jashtëzakonshme ndaj Dani Olmos në pjesën e parë, por natyrisht kopertinën e fitoi me penalltinë e pritur ndaj Moratës. Aftësitë fizike dhe teknike të portierit italian ishin sytë e të gjithëve, personalitetin e ka treguar në “San Siro” që 16 vjeç. Polemikat, zërat, titujt e gazetave: gjithçka mbetet jashtë fushës. Në kuadratin e blertë porta duket shumë e vogël kur e mbron ai. Dhe kur vendosin penalltitë, deri tani nuk ka humbur kurrë, si me Milanin, ashtu edhe me Italinë.
Dhe në fund Profesori. Një kandidat serioz për të hyrë në listë për “Topin e Artë”. Zhorzhinjo çoi në shtëpi spanjollët me një penallti të akullt, të fundit, duke lënë të palëvizur Unai Simon. Duket vërtet i akullt, nuk dorëzohet dhe vrapon si askush në këtë Europian (para gjysmëfinales kishte një mesatare prej 128 metrash në minutë).
Ndaj Spanjës Zhorzhinjo kishte në krah versionet më të dobëta të Barelës dhe Verratit, ndaj dhe mesfushën “axurre” duhej ta mbante ai në këmbë, aq më tepër ndaj Buskets dhe Tiago Alkantarës, që diçka e kanë fituar në karrierë. Në Londër fitoi një Champions, në Londër mund të festojë për një tjetër triumf të pamenduar deri pak muaj më parë. Profesori është në katedër edhe në verë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.