Futboll

Kielini njofton lamtumirën nga Italia: Me Argjentinën, ndeshja ime e fundit!

Gazeta Si – Xhorxhio Kielini ka njoftuar lamtumirën nga kombëtarja e Italisë. “Është normale që në moshën 38-vjeçare të ndalesh dhe të kuptosh gjërat. Nëse do të jem mirë, do të luaj dhe do të tërhiqem nga kombëtarja në ‘Wembley’, ku kam arritur majën e karrierës.

Do të ishte bukur ta lija fanellën e Italisë në një ndeshje feste si ajo ndaj Argjentinës. Për mua do të jetë e fundit, jam i sigurt. Le t’ua lëmë vendin të rinjve të talentuar”, – ka thënë Kielini. Italia do të ndeshet me Argjentinën më 1 qershor në edicionin e parë të “Finalissima”, kupa e krijuar nga UEFA, që vë përballë fituesin e Europianit kundër atij të Amerikës së Jugut.

Kielini feston nje gol me Italine. Gazeta Si, 26 prill 2022

Mbrojtësi i Juventusit ka lënë dyshime edhe për vazhdimin me klubin bardhezi: “Të shohim, të shijojmë vendin e 4-t dhe kemi edhe Kupën e Italisë. Pastaj do të kuptoj bashkë me dy familjet e mia, të shtëpisë dhe të fushës, çfarë do të bëj vitin e ardhshëm”.

Për Kielinin, që në 2018-ën mori shiritin e kapitenit nga Bufon, ndeshja me Argjentinën do të jetë e 117-a me fanellën e Italisë. Janë 21 ndeshje si kapiten për të. Ai është i katërti në histori, bashkë me De Rosin, për numrin e ndeshjeve, ndërkohë që ka realizuar edhe 8 gola.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë