Euro 2020

Kielini e ndali Saka me “mallkimin Kiricocho” te penalltia, jo Donaruma

Kapiteni i Italisë, Xhorxho Kileni, ishte thelbësor në fushë, duke nxjerrë jashtë loje kampionë kalibri si Lukaku dhe Kejn, por edhe jashtë fushe, duke injektuar besim te një grup i ri lojtarësh. Por ka edhe diçka tjetër që ka bërë mbrojtësi italian dhe që pak e kanë vënë re: ishte ai që e bëri anglezin Saka të humbiste penalltinë. Si? Me një “mallkim” të vjetër, që e ka origjinën në Argjentinë.

Penalltia e humbur nga Saka. Gazeta Si, 13 korrik 2021

Po të shohësh me kujdes një video të shpërndarë nga UEFA në profilin e saj Tuiter, duket qartë se pak para penalltisë vendimtare që u prit nga Donaruma, Kielini shqipton një fjalë të çuditshme: "Kiricocho!". Të parët që e vunë re këtë janë amerikanojugorët dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse legjenda e kësaj fjale ka lindur në Argjentinë, falë Karlos Bilardo.

Trajneri që fitoi Botërorin me Argjentinën në 1986-ën, 4 vjet më parë ishte trajneri i Estudiantes, me të cilin ishte tifoz një farë Kiricocho. Ai ishte i njohur, sepse sillte vetëm ters, sa herë që ndiqte stërvitjen e skuadrës, dikush vritej, kështu që Bilardo vendosi ta dërgonte të shikonte stërvitjet e të gjitha skuadrave kundërshtare. Dhe rezultati ishte i pabesueshëm: Estudiantes fitoi kampionatin dhe pësoi vetëm një humbje nga Boka Zhuniors, e vetmja skuadër që nuk ishte vizituar nga Kiricocho.

Kielini e siguri e njihte historinë, ndoshta ishte interesuar në vitin 2010, kur në finale, mbrojtësi i Spanjës Kapdevila, ulëriti këtë fjalë kundër Robenit, i cili doli i vetëm përballë Kasilasit. Holandezi gaboi dhe Spanja u shpall kampione bote. Duke ditur fuqinë e kësaj fjale, Kielini vendosi ta përdorte në momentin vendimtar të Euro 2020. Konfirmimi vjen nga vetë mbrojtësi, që i kontaktuar nga gazetari i “ESPN Argentina”, Kristian Martin, ka thënë: "Përshëndetje Kristian, të konfirmoj gjithçka. Kiricocho!".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë