Nga Gazeta ‘SI’ – Këshilli i Europës i ka kërkuar autoriteteve shqiptare të dekriminalizojnë personat e përfshirë në prostitucion dhe trajtimin e tyre si viktima të trafikut.
“GRETA vëren se kriminalizimi i personave që merren me prostitucion rrit ndjeshëm cenueshmërinë e tyre ndaj trafikimit të qenieve njerëzore duke shtyrë tregtinë e seksit në ‘nëntokë’. Kjo qasje ligjore rrit varësinë e tyre nga ndërmjetësit shfrytëzues, i pengon ata të kërkojnë ndihmë nga autoritetet për shkak të frikës nga pasojat ligjore ose stigma sociale dhe minon besimin në zbatimin e ligjit” shkruhet në dokument.
Në raportin GRETA, mbi trafikimin e qenieve njerëzore, Këshilli i Europës thekson se Shqipëria duhet të zhvillojë programe në ndihmë të viktimave të prostitucionit dhe të dekurajojë kërkesën për shërbime nga persona të trafikuar.
KiE kërkon që adresohet dhe martesa e të miturve dhe ajo me forcë duke ndërhyrë në ligj. Raporti vlerëson se ka numër të ulët të ndjekjeve penale dhe dënimeve për trafikim, sidomos për trafikimin e fëmijëve.
“Viktimat nuk përfitojnë kompensim nga shteti ose autorët e krimeve; vetëm dy viktima kanë marrë vendim gjykate për kompensim, por asnjë nuk e ka përfituar realisht” thuhet në raport.
GRETA përmend se shumica e viktimave të trafikimit janë romë dhe egjiptianë të cilët kanë probleme dhe me regjistrimin që në lindje dhe aksesin në edukim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.