Politike

“KiE të rishikojë përfundimet e Dick Marty”, Rama: Shqipëria dorëzoi zyrtarisht rezolutën  

Kryeministri Edi Rama shkruan në Facebook se Shqipëria i kërkoi zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës!

“Në dritën e zhvillimeve të kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse edhe falë angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë, raporti famëkeq i Dick Marty-t nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi”, shkruan Rama.

Kuvendi i Shqipërisë ka përcjellë zyrtarisht në Këshillin e Evropës, rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022.

Rezoluta u është dërguar të gjithë vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës.

Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues  dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës 1782 (2011).

“Shqipëria riafirmon vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë e për të mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën dhe e konsideron këtë nisëm shprehje kuptimplotë të këtij vullneti”, shkruan Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë