Kosova

KiE i zgjat mandatin Lajçakut: Detyrimet për Kosovën dhe Serbinë ndaj dialogut s’ndryshojnë me drejtuesit e rinj

Nga Gazeta 'Si'-Këshilli i Bashkimit Evropian i ka zgjatur edhe formalisht mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025.

Ky vendim, për të cilin më herët ishin marrë vesh vendet anëtare me kërkesë të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tashmë është formal.

Vendimi u mor disa muaj pasi përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, e kishte emëruar Lajçakun si ambasador të BE-së në Zvicër, ku ishte dashur të niste punën më 1 shtator, menjëherë pasi t’i skadonte mandati në rolin e lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Me vazhdimin edhe për pesë muaj të Lajçakut në rolin e lehtësuesit të dialogut, BE-ja dëshiron të sigurojë që në këtë çështje të mos ketë vakum derisa pritet të emërohet pasardhësi i tij.

Emërimi i pasardhësit të Lajçakut është lidhur tani në mënyrë direkte me procedurën për emërimin e udhëheqësve të rinj në institucionet e BE-së për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.

Në kuadër të paketës, për të cilën para dhjetë ditësh u pajtuan liderët e vendeve anëtare të BE-së në takimin e Këshillit Evropian, është edhe nominimi i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, në postin e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë.

Por, për të nisur mandatin ajo duhet të presë që, së pari Parlamenti Evropian të konfirmojë zgjedhjen e Ursula von der Leyen si kryetare e Komisionit Evropian për një mandat tjetër prej pesë vjetësh. Pastaj ajo do të propozojë nga një anëtar të Komisionit të saj nga secili vend anëtar, dhe secili prej tyre duhet të kalojë procesin e dëgjimit në Komisionet e Parlamentit Evropian dhe të marrin konfirmimin.

Pasi Kallas do të ketë një rol të dyfishtë, atë të përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri, por edhe të zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, edhe ajo duhet të kalojë përmes procedurës së konfirmimit në Parlamentin Evropian.

Në rastin më të mirë, nëse Ursula von der Leyen më 18 korrik në seancën plenare të Parlamentit Evropian siguron shumicën e votave të deputetëve, dhe pastaj në vjeshtë konfirmohen të gjithë komisionarët, afati më i afërt kur Kaja Kallas do të marrë përsipër nga Josep Borrell udhëheqjen e diplomacisë së përbashkët të BE-së është 1 nëntori i këtij viti.

“Në rastin më të mirë, Kallas do të mund të nisë punën si pasardhëse e Borrellit më 1 nëntor. Pastaj do t’i duhet së paku disa javë që të vendosë se kë dëshiron ta emërojë si të dërguar të posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, BE-ja e ka parë të rrugës që t’i zgjasë edhe për pesë muaj mandatin Lajçakut me shpresë se deri atëherë do të emërohet pasardhësi i tij“, i ka thënë Evropës së Lirë një diplomat evropian.// REL


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë