Nga Gazeta ‘Si’- Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka mbajtur fjalimin e parë pas shpalljes së armëpushimit me Izraelin, teksa nuk ishte shfaqur prej një jave live.
Sipas mediave të huaja, në deklaratën e tij, Khamenei thotë se SHBA-të “dështuan të arrinin ndonjë gjë domethënëse” duke sulmuar objektet bërthamore të Iranit.
Ai thotë se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte bërë një përshkrim “jashtëzakonisht të ekzagjeruar” të asaj që kishte ndodhur.
“Ishte e qartë se ai duhej ta bënte këtë”, thotë Khamenei, duke shtuar se kushdo që po dëgjonte mund të kuptonte se SHBA-të po i ekzagjeronin gjërat për të shtrembëruar të vërtetën.
“Regjimi amerikan hyri drejtpërdrejt në luftë sepse mendonte se nëse nuk do të hynte, regjimi sionist do të shkatërrohej plotësisht. Por nuk fitoi asgjë nga kjo luftë. Edhe këtu, Republika Islamike fitoi dhe në këmbim, i dha Amerikës një shuplakë të rëndë në fytyrë” thotë Khamenei.
“Ne sulmuam një nga bazat kryesore të SHBA-së në rajon, dhe këtu, ata u përpoqën ta minimizojnë dëmet”, thotë ai.
Ai thotë se Trump i bëri thirrje Iranit të “dorëzohet”, por komentet e tij ishin “shumë të mëdha për gojën e presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
“Për një vend dhe komb të madh si Irani, vetëm përmendja e dorëzimit është një fyerje”, shton Khamenei.
Ai shton se Donald Trump zbuloi aksidentalisht një të vërtetë, se amerikanët e kanë kundërshtuar Republikën Islamike të Iranit që nga fillimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.