Ne rrjet

Khamenei ndërpret të gjitha kontaktet, grindje mes krerëve të regjimit mbi përgjigjen ndaj SHBA-ve

Ajatollahu prej 4 ditësh i fshehur në një bunker sekret. As Rouhani dhe Larijani nuk mund ta kontaktojnë

Gazeta Si – Me një zë të qetë dhe qetësues, para një turme besimtarësh, Ali Khamenei thotë: “Jeta ime nuk ka kuptim. Edhe nëse më vrasin, mos e konsideroni humbje, për sa kohë që qëndroni të vendosur në parimet e Imam Huseinit. Ne po e fitojmë këtë luftë për sa kohë që nuk përkulemi para pushtetit dhe lakmisë”.

Është një video e shpërndarë gjerësisht nga mbështetësit e paktë të regjimit që e postojnë për t’u treguar atyre që nuk e besojnë, se udhëheqësi 86-vjeçar me mjekër është një burrë i guximshëm, i gatshëm të bëjë gjithçka për vendin e tij.

Kundërshtarët përgjigjen me qindra komente, ndonjëherë ironike, ndonjëherë të tërbuara. “Ai është aq heroik sa as populli i tij nuk e di se ku është”, shkruan një vajzë.

“I fshehur nën tokë si krimbat, ndërsa populli po bombardohet dhe nuk ka strehë për t’i shpëtuar vdekjes”, përgjigjet një burrë.

Bunkeri

Udhëheqësi suprem mungon prej katër ditësh. Dihet se ai ndodhet në një bunker sekret dhe se familja e tij është me të.

Dihet se ai nuk po përdor asnjë pajisje për të komunikuar me botën e jashtme, në mënyrë që të mos gjurmohet nga armiku.

“The New York Times”, raporton se udhëheqësi fetar ka ndaluar të gjitha komunikimet elektronike dhe u flet komandantëve të tij përmes një “bashkëpunëtori të besuar” nga frika se mos vritet në stilin e Hassan Nasrallah.

Fronti i dytë i luftës, i përfaqësuar nga infiltrimi i Mossadit, inteligjencës së Izraelit, i bën të gjithë njerëzit e Republikës Islamike paranojakë.

Mediat shtetërore po i japin alarm popullsisë: kini kujdes nga rreziku i gjurmimit të telefonave celularë.

Ata shpjegojnë se ushtria izraelite ka shfrytëzuar monitorimin e telefonave për të gjetur objektiva – burrat – që duhen eliminuar, siç janë shkencëtarët bërthamorë. Kjo është gjoja arsyeja pse Irani ka qenë i izoluar dhe pa internet për ditë të tëra.

Autoritetet thonë se e kanë shkëputur prizën “për të mbrojtur iranianët”. Një deklaratë e vënë në dyshim nga shumë qytetarë, dyshimi dhe mosbesimi ndaj ajatollahëve, si gjithmonë, kthehet kundër popullit: “Pika e kontrollit është trefishuar, si dhe arrestimet. Sapo kanë varur një djalë tjetër me akuzën se është spiun i Izraelit”, shkruan një student nga Teherani.

Heshtja

Është thënë tashmë se as i ashtuquajturi president i moderuar Masoud Pezeshkian dhe as Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi nuk kanë arritur të kontaktojnë me Ajatollahun.

Kjo heshtje thuhet se është arsyeja pse takimi sekret me zyrtarët amerikanë në Stamboll të premten u anulua.

Duke parë nga prapa, ndoshta shansi i fundit që Donald Trump mund t’i kishte dhënë diplomacisë, përpara se të shtypte “butonin e luftës”.

Dy burime të brendshme zbuluan për një gazetë iraniane se figura të tjera të shquara, si ish-presidenti Hassan Rouhani, ish-Kryetari i Parlamentit, Ali Larijani dhe ish-kreu i Gjyqësorit, Sadegh Larijani, janë përpjekur gjithashtu më kot të kontaktojnë Khamenein.

Nëse nuk janë spekulime ose propagandë, ato do të konfirmonin një heshtje që rrezikon destabilizimin. Megjithëse, si një antidot ndaj krizës, ditët e fundit Ajatollahu ka treguar tre emra si pasardhës të tij.

Përgjigja ndaj SHBA-ve

“Nëse sot, me të vërtetë, askush nuk është në kontakt me udhëheqësin, ky është një problem për regjimin”, thotë për “Corriere della Sera”, Saeid Golkar, ekspert iranian dhe këshilltar i “United Against Nuclear Iran”.

“Ka vendime të rëndësishme për t’u marrë. Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare mund të ndërhyjë, por zakonisht është Khamenei ai që dikton vijën. Udhëheqja po debaton se si t’i përgjigjet SHBA-së. Ata që refuzojnë, duan një veprim të fortë, tradicionalistët dhe reformistët megjithatë mendojnë se është më mirë të presin ose të zgjedhin një veprim simbolik”, siç ndodhi pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani, ku u goditën dy baza amerikane në Irak, por nuk pati viktima.

Gjithashtu në shtypin iranian, lexohet se në këtë moment pasigurie, ka nga ata që po përpiqen të fitojnë hapësirë.

Përmendet emri i Ali Larijanit, i cili po luan kartën e “shpëtimtarit të Iranit”, gati për të marrë përsipër, në rast se Khamenei eliminohet.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë