Në vendkalimin kufitar të Merdarit, KFOR-i ka pranuar kërkesën nga Qeveria e Serbisë për kthimin e njëqind deri në një mijë pjesëtarëve të forcave të sigurisë serbe në territorin e Kosovës, kërkesë kjo të cilën Serbia e bazon në Rezolutën 1244.
Qeveria e Serbisë mbrëmë ka marrë vendim që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së t’i dërgojë kërkesë KFOR-it për kthimin e deri në njëmijë forcave serbe të sigurisë në territorin e Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë mbrëmë se vendimi është marrë unanimisht, duke theksuar se do të sjellë ulje të tensioneve. Megjithatë, ai vuri në dukje se KFOR-i ndoshta nuk do ta pranojë kërkesën e Serbisë.
“Vendimi është marrë unanimisht dhe është respekt i së drejtës publike dhe është i rëndësishëm për mbrojtjen e popullatës dhe për kontrollin e pikave kufitare. Jemi pothuajse të sigurt që nuk do të pranohet, por presim ta marrim letrën”, theksoi presidenti.
Ai shtoi se kjo është hera e parë që një qeveri e miraton një kërkesë të tillë.
Vetë Vuçiç ka thënë se pret që kërkesa të mos i pranohet, duke u bazuar në mesazhet që kanë dhënë zyrtarët ndërkombëtarë ditëve të fundit.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
Ai ka deklaruar po ashtu se SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




