Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të kryejë stërvitje të rregullta ushtarake afër bazës që ka në Novosellë.
Sipas një njoftimi për media, stërvitjet synojnë të trajnojnë njësitë e KFOR-it, për të garantuar lirinë e lëvizjes në kohë krizash dhe ‘konsistojnë në një seri të simulimeve taktike dhe aktiviteteve logjistike, përfshirë pajisje të rënda dhe helikopterë”.
Njoftimi për këto stërvitje vjen në kohën kur autoritetet e Kosovës bëjnë thirrje për heqjen e barrikadave të ngritura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.
KFOR-i ka bërë të ditur më 16 dhjetor se e ka shtuar numrin e ekipeve patrulluese në veri.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.
Pantiç dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.
Komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – janë të banuara me shumicë serbe.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret që KFOR-i t’i largojë këto barrikada, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se pret që barrikadat të hiqen nga personat që i kanë ngritur ato.
Së fundi, autoritetet serbe i kanë dërguar kërkesë KFOR-it për angazhimin e deri në 1.000 pjesëtarëve serbë të sigurisë në Kosovë, duke u bazuar në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Misioni i NATO-s, e ka konfirmuar pranimin e kërkesës dhe ka thënë se është “duke e shqyrtuar atë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




