Gazeta Si – Kevin Haveri, talenti shqiptar që luan në Itali, bën një hap të rëndësishëm në karrierë. Mbrojtësi i krahut, i datëlindjes 2001, kalon në Serinë A, ku do të veshë fanellën e Torinos.
Lajmi është bërë i ditur nga shtypi sportiv italian, që sqaron po ashtu se lojtari shqiptar do të nënshkëruajë zyrtarisht në janar. Aktualisht ai është pjesë e Riminit. Konfirmimin e ka dhënë për ‘Corriere di Romagna’ drejtori sportiv i klubit të Riminit.

“Kam një takim me Torinon në janar për të mbyllur akordin e shitjes së Haverit. Kemi rënë dakord prej kohësh, por tani ka ardhur momenti që çdo gjë të marrë formë përfundimtare. Pastaj Torino do të na bëjë me dije, nëse do ta marrë menjëherë lojtarin, do ta huazojë apo do ta lërë këtu”, – ka thënë ai.
Haveri ka qenë pjesë e një prej grumbullimeve të fundit të Kombëtares shqiptare, pasi cilësohet një element premtues i së ardhmes. E vërteton kalimi te Torino, ku aktualisht luan edhe portieri kuqezi, Etrit Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




