Arsila L. është një adoleshente 14-vjeçare, në rrethinat e Elbasanit, e cila mezi e njeh mjeken e saj të familjes. Me të e lidh vetëm ndonjë vizitë në sezonin e gripit apo një “më duhet një rekomandim”.
“Kurdo që kam një problem me shëndetin seksual apo dua të di diçka, kërkoj në internet apo pyes shoqet e mia të cilat dhe nëse dinë diçka, e kanë mësuar nga interneti”, thotë Arsila. Ajo tregon se arsyeja kryesore pse kurrë nuk ka folur me mjeken e familjes për problemet në shëndetin seksual është sepse njihen mes familjesh dhe nuk është e sigurt nëse problemet e saj do të mbesin mes marrëdhënies mjek-pacient.
Në një pyetësor të shoqatës “Together for life”, nga 100 të rinj në rrethe, katër në pesë prej tyre u shprehën se nuk janë ndier të lirshëm ose janë ndier në siklet në bisedat me mjekun.
Gjithashtu, rezultoi se ato nuk kanë besim tek mjekët dhe më shumë se gjysma prej tyre thanë se nuk e dinë nëse mjeku e ruan apo jo privatësinë e bisedës.
“Mami im është shumë shoqe me mjeken time të familjes dhe më vjen zor të flas me mjeken kur mendoj se ajo do t’ia tregonte bisedën mamit tim. Këtu fjala merr dhenë”, thotë Arsila.
Mimoza Bushi, mjeke familje në Thumanë të Krujës, tregon për Gazetasi.al se ky është një problem që e ka hasur gjatë gjithë viteve dhe kanë ndryshuar shumë pak gjëra.
“Nuk flasin për probleme me shëndetin seksual apo riprodhues. Djemtë me mjekët që janë burra edhe vijnë dhe flasin, po me mjeket femra nuk vijnë”, tregon Bushi.
Ndërsa përsa u përket vajzave, flasin me mjeket në rastet kur kanë çrregullime të menstruacioneve dhe në këto raste “janë të ndrojtura, nuk i thonë të gjitha shqetësimet”.
Të ndarë sipas gjinisë, shihet se vajzat në rrethe në përqindje të konsiderueshme janë ndier në siklet në komunikimin me mjekun.
Mjeku i familjes L.L thotë për Gazetasi.al se në 15 vite punë, kurrë nuk ka folur me adoleshentet femra për problemet me shëndetin seksual.
“Djemtë edhe pyesin për ndonjë gjë në vija të trasha. Dhe në ato pak raste, vihet re se janë në siklet dhe mundohen të pyesin duke bërë sikur e dinë si informacion por thjesht po pyesin për konfirmim”, tregon L.
Diçka tjetër që vihet re, sipas tij, është fakti se gjimnazistët mendojnë se tashmë e dinë cdo gjë sepse e kanë mësuar në shkollë apo internet dhe mjeku i familjes është vetëm për të marrë një rekomandim për të bërë një vizitë në spitalin rajonal.
“Më thonë se kanë një problem por nuk duan të flasin, preferojnë të shkojnë të bëjnë vizitat në spitalin rajonal dhe janë të bindur se mjeku i familjes është vetëm për te dhënë rekomandimin”, thotë ai.
Sociologe Marsida Simo tregon për Gazetasi.al se në tërësi fëmijët kanë një ngërç kur bëhet fjalë për trupin dhe ndryshimet e tyre të cilat theksohen në moshën e pubertetit. Kjo është e kuptueshme sepse edukim seksual nuk niset në këtë moshë, por që kur fëmijët janë të vegjël dhe pyesin për trupin e tyre.
“Përgjithësisht prindërit nuk kanë shumë informacion sesi duhet të flasin me fëmijët e tyre dhe kjo e bën më të vështirë komunikimin për këto tema, sepse edhe ata nuk kanë marrë edukatë të mirëfilltë nga prindërit e tyre”, thotë Simo e cila shton se fëmijët nga ana tjetër marrin mesazhin se është turp dhe tabu të flitet për tema të tilla të cilat nuk kanë guxim t’i flasin as me mjekun përkatës.
Ajo thotë se siç dihet, në zonat urbane informacioni qarkullon më shpejt dhe lehtë, aksesi po ashtu ndaj këtyre informacioneve është më i arritshëm, mësuesit janë më të trajnuar se si duhet t’i trajtojnë këto tema dhe prindërit priren të jenë më të hapur të edukojnë mbi këtë ҫështje kaq të rëndësishme.
Simo ka kryer një pyetësor me 50 vajza dhe gra (anketë e zhvilluar në periudhën shkurt-prill 2021 me kampion të rastësishëm me vajza dhe gra nga 12-65 vjeҫe), për të kuptuar se sa informacion kanë vajzat për ndryshimet trupore që lidhen me menstruacionet dhe rezultoi se vetë 55.6% e vajzave dhe grave dinin mjaftueshëm për menstruacionet. Kur u pyetën se sa të lira janë ndjerë të flasin me prindërit për menstruacionet, vetëm 33.3% e tyre e pohuan këtë gjë, ndërsa 28.9% theksuan se nuk e kanë pasur aspak të mundur të flasin me prindërit. Kur vajzat dhe gratë pyeten se si i kanë përjetuar ndryshimet fizike gjatë pubertetit, ato shprehen se kanë pasur turp nga trupi i tyre, ndjeheshin si të neveritura apo të traumatizuara kur patën sidomos menstruacionet e para. Kjo tregon se si ndikon mungesa e edukatës seksuale tek fëmijët.
Kur adoleshentët nuk flasin dot me prindërit për shëndetin seksual dhe riprodhues sepse ka stepje nga të dyja palët, mjeku i familjes ka për detyrë të bëhet prind, detyrë që jua ka marrë “me stil” interneti!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.