Kosova

Këshilltarja e Kurtit thotë se u ndalua mbi një orë në kufi nga policia serbe

Këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani, ka thënë se u ndalua për “mbi një orë” nga policia serbe në kufi me Kosovën të hënën.

Sinani tha se policët kufitarë serbë e ndaluan më 7 gusht në pikëkalimin Muçibabë, rreth 20 kilometra larg Gjilanit në juglindje të vendit.

“Arsyetimi i vetëm që mu dha nga policët kufitarë të Serbisë: ‘Kemi urdhër për ndalimin tuaj dhe nuk mund të të lejojmë ta kalosh kufirin pa marrë pëlqim nga baza’”, shkroi Sinani në Facebook.

Ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, u ankua se u ndalua pa “asnjë sqarim shtesë për arsyen, apo se kush është baza që duhet pyetur dhe marrë leje për të kaluar kufirin.”

“Kjo mbase mund të jetë kostoja e të qenurit Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, por sigurisht nuk do të jet mjeti me të cilin do të heshtet zëri për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, shkroi ajo.

Ky rast, nënvizoi ajo, sigurisht se do të jetë vetëm “shtytje edhe më e madhe për të folur me zë edhe më të lartë” për diskriminimin shtetëror serb ndaj shqiptarëve.

“E ndalimi nga policia në kufi, është vetëm njëra ndër to, e që është edhe metodë e vjetër politike e shtypjes e etërve politik të udhëheqësve aktual të Serbisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë