Kosova

Këshilli i Sigurisë, Serbia mban në fuqi gatishmërinë luftarake

Në Beograd më 27 maj është mbajtur takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku është vendosur që gatishmëria e ushtrisë serbe do të vazhdojë të mbetet në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

Në këtë takim mori pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili një ditë më parë vendosi për ngritjen e gatishmërisë luftarake.

Vendimi për mbajtjen e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë, u tha se është marrë për shkak të "përdorimit brutal të forcës nga [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti kundër popullit serb në Kosovë".

Në këtë mbledhje, sipas Presidencës serbe, të pranishmit janë pajtuar “për të gjitha aktivitetet e nevojshme të sigurisë me qëllim të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.

“Është theksuar se KFOR/NATO nuk e ka kryer punën e vet në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Ushtarako-Teknike nga Kumanova”, u tha në njoftim.

Po ashtu, u tha se gjenerali i forcave të armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviç, është në kontakt me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin, Angelo Michele Ristuccia.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u takuan përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të sigurisë në Serbi, po mbahet një ditë pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaiviqit dhe Zubin Potokut që të hyjnë në zyrat e tyre, që hasi në kundërshtim nga grupe të serbëve lokalë.

Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë qytetarët e mbledhur para ndërtesave komunave, ndërkaq ata hodhën gurë në drejtim të policëve. Pas ndërhyrjes së policisë, kryetarët e rinj hynë në zyrat e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë