Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mblodhi këtë të dielë (31 korrik) Këshillin e Sigurisë, për të diskutuar për masat e zbatimit të reciprocitetit me Serbinë, në lidhje me targat dhe dokumentet.
Pas përfundimit të mbledhjes, përmes një njoftimi u bë e ditur se reciprociteti do të procedohet në mënyrë të shpejtë dhe pa pengesa.
“Institucionet tona kanë zhvilluar tashmë të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve, dhe në këtë drejtim i sigurojmë qytetarët tanë që mundësimi i zëvendësimit të targave ilegale, sikurse edhe kalimi i qytetarëve në pikë-kalimet kufitare do të procedohen në mënyrë të shpejtë, pa pengesa dhe në kohë të shpejt reale”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit për takimin e Këshillit të Sigurisë.
Ndër të tjera, në njoftim theksohet se vendimi i qeverisë së Kosovës është në funksion të sigurisë, vendosjes së rendit publik dhe ligjshmërisë e sundimit të ligjit.
Nga data 1 gusht deri më 30 shtator 2022, në Kosovë do të fillojë organizimi i procesit për regjistrimin e targave ilegale në ato “RKS”, në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve.
Gjithashtu, nga e hëna, shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një ‘dokument hyrje/dalje’.
Kosova brenda territorit të saj i bën të pavlefshme dokumentet e lëshuara nga autoritetet serbe, si masë reciprocitetit ndaj shtetit që nuk i njeh dokumentet identifikuese të lëshuara nga Kosova.
“Institucionet e Kosovës janë të bashkuara dhe të përkushtuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, në bashkëpunim me partnerët strategjikë”, u tha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




