Gazment Bardhi mblodhi Këshillin Kombëtar të enjten mbasdite dhe vendosi anulimin e procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë, ngriu kryesinë dhe la pezull dorëheqjet e Agron Gjekmarkajt dhe Jorida Tabakut nga detyra e nënkryetarit, ndërsa pranoi dorëheqjet e Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt nga detyra e kryetarit
Në anën tjetër strukturat e PD-së zyrtare qysh prej përfundimit të mbledhjes nga Bardhi nuk i kanë njohur këto vendime, e aq më tepër Këshillin e mbledhur nga Bardhi, duke vijuar procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.
Anëtari i komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike, Gazment Koduzi doli në një konference për mediat nga selia e PD-së zyrtare për të njoftuar masat që janë marrë për të shtunën, kur mbahen zgjedhjet për kryetarin.
“Nesër, në datën 29 Korrik 2023, pas një muaji takime me demokratët të kandidatëve, do të kryhet votimi për Kryetarin e Partisë Demokratike.


Qendrat e votimit hapen në orën 08:00 dhe mbyllen në orën 19:00.
Informacionin për qendrat e votimit mund ta gjeni pranë Degëve përkatëse ose online në faqen zyrtare të Partisë Demokratike.
Është i ftuar të shprehë vullnetin e tij për kryetarin e Partisë, çdo anëtar i Partisë Demokratike
Votuesi paraqitet përpara Komisionit me mjet identifikimi (kartë identiteti, pasaportë, apo patentë) dhe ia dorëzon atë për verifikim anëtarit të Komisionit që është caktuar përgjegjës për administrimin e Listës së Votuesve.
Nesër është një ditë e rëndësishme për demokratët. Partia Demokratike nis ringritjen dhe riorganizimin e saj, për tu kthyer në shpresën dhe alternativën që presin dhe meritojnë shqiptarët”, tha Koduzi duke njoftuar edhe pikat se ku do të ngrihen qendrat e votimit, ku shumicat janë në zyrat aktuale të PD-së, lokale e restorante por edhe në zyra deputetësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




