Ishte një kohë, jo shumë kohë më parë, kur Italia dhe Gjermania shiheshin si pole të kundërta të debatit ekonomik në Eurozonë. Por sot ka një konvergjencë të dukshme sidomos kur flasim për “ëngjëjt” që i drejtojnë ato. Mario Draghi, ish-kryeministri i Italisë dhe ish-president i Bankës Europiane dhe ekspertët e Këshillit Gjerman Ekonomik. Të dy janë ëngjëjt mbrojtës të traditës ekonomike europiane, dhe të dy së fundmi kanë analizuar se sa shumë ka ndryshuar kjo traditë.
1.Konkurrueshmëria e pagave ka vdekur
Termi “konkurrueshmëri” mund të mos zhduket kurrë nga fjalori ekonomik i Europës edhe pse duhet. Por të paktën askush se përdor më ashtu siç e përdornin para 10 a 15 vitesh, kur u bë slogan për politikat e pagave, të gjithë ishin të fiksuar me “kostot e punës për njësi”. Kur politikbërësit përmendin sot konkurrueshmërinë, me gjasë nënkuptojnë investimet, koston e energjisë dhe incentivat për inovacion.
Kjo zhvendosje është shkaktuar nga lojtarët e fortë si Draghi dhe këshilli gjerman. Javën e shkuar, Draghi dha një fjalim goditës, ndërsa këshilli nxorri një raport. Në asnjërin nga tekstet nuk flitet më për konkurrueshmëri page.
“Super Mario” është i kujdesshëm në ndërhyrjet e tij dhe kur del të flasë në publik. Këtë herë, ai nuk u kursye.
“Ngjarjet e fundit janë një pikë kthese. Sherret mbi tregtinë dhe fragmentizimi kanë minuar rendin në një mënyrë të pakthyeshme. Nga e kënaqshme, perceptimi i biznesit, qytetarëve dhe tregjeve ka kaluar në alarmante. Rreziqet materiale me të cilat përballemi për rritjen tonë, vlerat tona sociale dhe identitetin tonë, varen mbi të gjitha ngavendimet tona.
Po shohim çarje të mëdha institucionale. Goditja politike nga SHBA është masive.”
Draghi pyet “pse përfunduam në duart e konsumatorëve amerikanë për të nxitur rritjen tonë”. Përgjigja e tij është një akuzë therëse e politikave të miratuara për të trajtuar krizën e borxhit sovran të Eurozonës (për të cilën, duhet thënë, ai mban njëfarë përgjegjësie si pjesë e krijimit të politikave europiane në atë kohë), dhe, në veçanti, shkurtimi i kërkesës së brendshme dhe fokusimi në uljen e pagave dhe jo në produktivitetin.
Këshilli Gjerman, ankohet për dinamikën e ndenjur ekonomike dhe paralajmëron kundër goditjes tregtare që vjen nga SHBA. Ajo që mungon në listën e rekomandimeve të ekspertëve është po aq e rëndësishme sa ajo që përmendet: heshtja ndaj konkurrencës së pagave flet shumë.
2. Investime, investime, investime
Konkurrueshmëria ka rënë nga froni dhe investimi tani është mbret. Këshilli i ekspertëve gjermanë sulmoi direkt pakon e re të qeverisë Merz, mbi stimulin fiska,
Kjo paketë në dukje do të kanalizojë huamarrjen e re në shpenzimet e mbrojtjes mbi 1% të PBB-së dhe një fond prej 500 miliardë eurosh për shpenzimet e infrastrukturës. Por në turbullirat më të çuditshme të debatit ekonomik gjerman, ka shqetësime se huamarrja shtesë thjesht do të përdoret për shpenzimet që ishin bërë tashmë në buxhetin e rregullt, duke liruar kështu fonde për shpenzimet sociale dhe konsumin e qeverisë. Këtë frikë ka edhe Këshilli dhe nëse ndodh, nuk do të ketë as rritje të produktivitetit e as të ekonomisë. Ata bëjnë thirrje për mekanizma striktë që siguron se borxhi shtesë do të shkojë për investime shtesë.
Për Draghi-n, nevoja për investime është një argument që do të ndihmonte BE-në të tërhiqte mbrapsht kapitalin që eksporton. Një argument është edhe thyerja e barrierave midis vendeve europiane, për të gjeneruar një ofertë pozitive që do të rriste produktivtetin dhe pagat përballë kërkesës në rritje. Kjo do të kërkojë një ndryshim rrënjësor strukturor.
3. Kontrollit të shtetit nga një grup korporatash i ka ardhur fundi
Qeveritë europiane i kanë mbrojtur gjithmonë industritë e tyre të mëdha dhe të përqendruara. Një teori në historikun e BE-së është se u ngrit për t’u bërë një bllok i madh korporativist edhe pse ndryshoi pak rrugës. Shembulli klasik i kësaj është, patjetër, industria e makinave në Gjermani, që ka një peshë të madhe politike dhe ekonomike.
Çfarë Draghi thotë është që mbështetja tek arritjet e shkuara të Europës, do t’i bëjnë problemet e saj ekonomike akoma më të këqija. Rritja e investimeve, thellimi i tregut të përbashkët dhe ridrejtimi i kërkesës – të gjitha këto janë elementë të një strategjie që do ta bëjë botën më pak komode për gjigantët industrialë të themeluar të Europës, pikërisht duke e bërë atë më premtuese për aktivitete të reja dhe inovative. Draghi është i kthjellët në lidhje me këtë, duke ndikuar dhe interesat personale që po i rezistojnë ndryshimit.
Ekspertët gjermanë janë dakord.
“Tregu i punës, i industrisë dhe politikat rajonale e strukturore do të ndihmojnë në reduktimin e kostove të ndryshimeve strukturore dhe do të përmirësojnë projeksionet e rritjes në të ardhmen. Në vend të përdorimit të subvencioneve të kushtueshme dhe joefikase për të ruajtur vendet e punës që nuk janë më konkurruese, ndryshimi strukturor duhet të shoqërohet me politika të synuara të tregut të punës, të fokusuara në trajnimin, ngritjen e aftësive dhe rikualifikimin. Kjo mund të sigurojë që punëtorët të rialokohen në mënyrë efikase në sektorë me perspektiva më të mira afatgjata.”
Është koha që politikanët të marrin mësime dhe të sillen siç duhet përtej interesave vetjake. Kjo është detyrë që i përket politikanëve dhe topi është në fushën e tyre.
Shkruar nga Martin Sandbu, komentator i çështjeve ekonomike në Financial Times
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.