Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën Edlira Marës dhe Alba Ahmetajt, të cilat kishin kërkuar që t’i regjistronin dy fëmijët me të drejta mëmësie të barabarta.
Vendimi është marrë një ditë më parë, 16 korrik, ndërsa në seancë ishin të pranishme edhe dy gratë.
Të dyja, pasi kurorëzuan martesën në një ceremoni në tarracën e Bashkisë së Tiranës, paditën zyrën e gjendjes civile pranë njësisë administrative numër dy dhe i kërkuan Gjykatës së Lartë që ta detyrojë që dy fëmijët të regjistrohen me të drejta mëmësie të barabarta.
Gjykata e Lartë tha se njësia administrative nuk mund të marrë një vendim që nuk bazohet në ligj.
Për herë të parë, në Shqipëri, në maj u krye një ceremoni simbolike nga një çift pjesë e komunitetit LGBT. Kjo ceremoni u zhvillua në tarracën e bashkisë Tiranë, çka solli dhe shumë reagime dhe debat.
Të parët që reaguan ishin përfaqësuesit e feve në vendin tonë, duke thënë se është e papranueshme që të lejohet një ceremoni e tillë, duke qenë kundra ligjit dhe kodit të familjes.
“Është kategorikisht e ndaluar që të kryhet një ceremoni e tillë, e aq më pak që të promovohet nga një institucion shtetëror”.
Këtë e pohuan edhe avokatë për Gazetasi.al, të cilët thanë se është kundra ligjit që një ceremoni e tillë të kryhet në ambientet e një institucioni shtetëror.
Këtë pretendim, dy gratë e justifikuan me “për aq kohë sa paguajmë taksa, kemi të drejtë të marrim me qira tarracën si çdo qytetar tjetër”.
Por, Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Bashkiak, tha se vetë bashkia e ka shkelur ligjin, duke lejuar një ceremoni që është e ndaluar me ligj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




