Gazeta Si- Gjykata e Apelit të Posaçëm ka shtyrë për datën 31 gusht seancën për shqyrtimin e ankimimit për masat e arrestit për gjashtë të arrestuarit e operacionit "Metamorfoza".
Gjykata e Posaçme e Apelit për më shumë se 3 orë shqyrtoi kërkesat e bëra nga të arrestuarit, ku janë të hetuar bisnezmeni Pëllumb Gjoka, Drejtori i Forcave Operacionale Oltion Bistri, ish-prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita dhe të tjerë, të cilët kanë kërkuar lirinë në Apel.
Seanca që nisi në orën 10:00, dhe që u karakterizua nga debate të forta mes palëve në sallë, u vendos të shtyhet për më 31 gusht.
Bëhet fjalë për një seri të gjatë përgjimesh të realizuara nga autoritetet franceze, ku janë zbardhur një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, kryesisht të ndodhura në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës, ku 3 protagonistët në fjalë rezultojnë në hetime si bashkëpunëtorë të disa prej emrave të njohur të botës së krimit shqiptar.
Në një deklaratë jashtë ambienteve të GJKKO-së, avokati i biznesmenit Pëllumb Gjoka, Ylli Manjani, është shprehur se nuk duhet të zhvillohen gjyqe të mbyllura.
Manjani tha se "për të lidhur një person me një ngjare, duhet të ketë prova konkrete dhe jo vetëm hamëndësime".
Sipas tij, “SPAK ka të njëjtin qëndrim që kanë prokurorët e vendeve të tjera. Jemi në sintoni të plotë. Në sallën e gjyqit nuk ka sekrete dhe nuk ka dosje hetimore. Nuk ka gjyqe të mbyllura, vetëm Shqipëria i bën këto pisllëqe. Mediat të jenë në sallë", - u shpreh Manjani për mediat.
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar në total 15 urdhër arreste dhe vetëm gjashtë prej tyre janë ekzekutuar.
Për të tjerët, mes të cilëve edhe Behar Bajri dhe Ervis Martinaj, janë lëshuar urdhër arresti por janë shpallur në kërkim. Ndaj tyre rëndojnë 12 vepra penale, nga ajo e “Vrasjes me paramendim”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë shtetëror” deri në “Shpërdorim detyre” e “Pastrim parash”.
Prokuroria pretendon se ka zbuluar katër atentate, mes të cilëve edhe ekzekutimin e Gjin Boriçit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2020 në Shkodër.
Sipas SPAK, të gjitha këto ngjarje kriminale janë zbuluar nga të dhënat që kanë siguruar autoritetet e huaja, të siguruara nga komunikimet përmes SKY dhe EncroChat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.