Nga Gazeta ‘Si’- Për rreth një orë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kanë pasur një takim konsultativ para seancës konstituive.
Krasniqi doli në konferencë për media dhe tha se nuk ka marrëveshje politike dhe se në emër të zhbllokadës duhet të ndërrohet kandidati për kryeparlamentar. (LVV-ja ka propozuar Albulena Haxhiun).
“Për të qenë transparent, ju njoftoj se pak më parë e përfundova takimin me deputetin Albin Kurtin e kemi shkëmbyer ide për konstituimin e Kuvendit. Qëndrimet e mia i dini, ato që i kemi thënë këtu pas çdo seance ia kam thënë edhe Kurtit. Meqë është hera e parë kur një parti ska shumicë, një gjë e tillë nuk mund të imponohet. Edhe Kurtit i thashë se duhet të mendojë për kandidatura të tjera. Nuk na takon neve të zgjedhim kryetaren e Kuvendit partisë së parë. Ne nuk kemi marrëveshje politike dhe nuk merremi me një gjë të tillë“, tha Krasniqi.
Ai foli edhe për kushtëzimin që ka paraqitur Lëvizja Vetëvendosje për votimin e nënkryetarëve, e tha se kjo çështje nuk diskutohet.
“Nënkryetarët as që diskutohen. Nuk e kemi ne pozicionin e kryetarit simbolik, është shumë i rëndësishëm. Nuk është i vlerësueshëm me nënkryetarët sepse më herët kryetari i kuvendit e ka luajtur rolin e presidentit”, ka thënë Krasniqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.