Gazeta Si – Pas një seance rreth 4 orë, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë të “ndalimit të daljes jashtë shtetit” ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Ndërkohë, Apeli nuk ka shqyrtuar masën e sigurisë së “pezullimit nga detyra” të caktuar ndaj Ballukut në Shkallën e Parë, në pritje që të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Vendimi për pezullimin e Ballukut u pezullua nga Kushtetuesja, deri në shqyrtimin e kërkesës së dorëzuar nga Këshilli i Ministrave.
Sipas burimeve, Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjyqtares Miliana Muça lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë, përfshirë pezullimin nga detyra me arsyetimin se Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vetëm efektet, por jo masën e sigurisë në vetvete.
Prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko paraqitën prova të reja sot, të cilat sipas tyre rëndojnë pozitën penale të zëvendëskryeministres.
Balluku është marrë e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, në lidhje me procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, një projekt me fond limit rreth 190 milionë euro.
Ndërkohë, SPAK ka bërë të ditur se hetimet ndaj saj janë zgjeruar, duke përfshirë jo vetëm lotin 4, por 7 lotet e projektit të Unazës së Madhe.
Seanca e sotme në GJKKO, u mbajt në një moment delikat institucional, pasi paralelisht SPAK ka paraqitur në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut.
Kërkesa vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka rikthyer përkohësisht zv.kryeministren në detyrë, deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes Gjykatës së Posaçme dhe Këshillit të Ministrave.
Dy të pandehur e tjerë, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli kërkuan heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe vendosjen e një masë më të butë, pasi pengohen të ushtrojne funksionet e tyre. Por Apeli nuk i ndryshoi masat ndaj tyre.
Elezi akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë, ndërsa masa është caktuar në lidhje me dy procedura prokurimi me vlerë totale 210 milionë euro, atë të Tunelit të Llogarasë dhe lotit 4 të Unazës së Madhe.
Në kohën e zhvillimit të tenderit të Llogarasë, ai mbante detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, ndërsa për Unazën e Madhe ka qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Gjithashtu, lehtësimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” e ka kërkuar edhe drejtori i ARRSH, Gentian Gjyli.
Sipas SPAK, ai dyshohet për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, ndërsa masa ndaj tij lidhet vetëm me procedurën e prokurimit për Tunelin e Llogarasë.
Hetimet për tenderët infrastrukturore janë pjesë e një sërë procedimesh të nisura nga SPAK për dyshime mbi shkeljen e ligjit në prokurimet publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




