Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Nezar Seiti për zbutje të masës së sigurimit.
Seiti është i akuzuar si pjesë e grupit të Habilajve, i cili njihet si financier i grupit dhe ka lënë të pandryshuar masën aktuale të sigurimit.
Në përfundim të gjykimit, gjykata ka vlerësuar se kërkesa për zëvendësim të masës nuk është e justifikuar.
Gjithashtu, është bërë e ditur se ky vendim mund të apelohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve nga komunikimi i vendimit.
Nga përgjimet e Prokurorisë së Katanias, rezulton se ai ka pasur rolin e financierit të grupit “Habilaj” dhe kujdesej për blerjen e gomoneve të shpejta, me të cilat pastaj grupi kryente transportin e kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë. Gjithashtu, përgjimet konfirmuan edhe se Seiti bënte shpërndarjen e parave mes anëtarëve të bandës.
Grupi kriminal ishte në përgjim që prej vitit 2013 dhe në dosjen e Prokurorisë së Katanias, gjatë përgjimeve të disa anëtarëve të grupit përmendej edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Habilajt kanë përdorur emrin e ministrit si të përfshirë në trafikun e kanabisit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.