Ka ndodhur

Do të takonte një nga hetuesit e BKH, një person pi helm para godinës së SPAK-ut

Një person ka tentuar t’i japë fund jetës duke konsumuar helm para godinës së SPAK.

Ai është trasferuar në spital. Shtetasi P. T. është identifikuar si një qytetar nga Lezha

Fillimisht u raportua se ai kërkonte takim me kreun e SPAK, Altin Dumani, por SPAK sqaroi me vone se do te takonte nje nga hetuesit e BKH

"Më datë 02.07.2024, në rrugën "Panorama", përballë godinës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, shtetasi P. T., 63 vjeç, dyshohet se ka konsumuar fostoksinë dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes", njofton Policia.

Raportohet se 63 vjecari nga Lezha prej disa vitesh ka patur probleme me një bankë të nivelit të dytë ku ai pretendon se e ka shlyer borxhin ndaj kësaj banke por pas disa vitesh sipas tij banka ka pretenduar te kunderten, e për pasojë dy përmbarues i kanë marrë pronën. Ai jeton në një fshat të Lezhës.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes ku një 63-vjeçar pi fotoksinë para godinës.

SPAK thekson se qytetari është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.

Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos shkuar për të marrë përgjigje.

Pas disa orësh, jashtë ambjenteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth ngjarjes sipas SPAK.

"Institucioni ynë ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të tij. Prokuroria e Posaçme, garanton se do t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari me korrektësi dhe në zbatim të ligjit për çështje që janë në kompetencën e saj", sqaron SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë