Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Ky i fundit, kërkoi zbutje të masës së sigurisë, pasi në argumentet e tij, tha se vetë fakti i të qenit kreu i partisë së dytë opozitare në vend, duhet të bindë gjykatën për lirimin e tij.
Avokati i opozitarit, u shpreh i bindur se Meta ndodhet në paraburgim për arsye politike. “Në këtë material prej 31 faqesh nuk pati asgjë të re, vecse organi procedurës përfundimisht u bind përsa i përket çështjes së kompanisë lobimit në favor të Partisë Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), ku personi nën hetim Z. Ilir Metaj, ashtu sic kishte deklaruar nuk ka asnjë lidhje me kontratat dhe pagesat e kryera”, tha avokati Kujtim Cakrani në sallë.
Sa i takon episodit të ri të korrupsionit që SPAK dyshon se ish-çifti Meta-Kryemadhi kanë përdorur një kartë bankare për blerje e shpenzime jashtë vendit të dhënë nga biznesmeni Ardian Shatku, mbrojtja e Metës ia ‘faturoi’ përgjegjësinë Kryemadhit.
Avokati Kujtim Cakrani tha se “Meta nuk ka qenë në dijeni të asnjë shpenzimi të Kryemadhit me këto karta”.
Madje sipas mbrojtjes, “Meta vendosi edhe divorcin, pasi nga kontrollet e SPAK në shtëpinë e nënës së Kryemadhit u gjet një nga këto karta”.
“Si rezultat i kësaj veprimtarie dhe ushtrimit abuziv të pushtetit, palët kanë përfituar nga shtetasi Ardian Shatku dhe UNIFI, të ardhura të konsideruara, duke përfshirë përqindjen e fitimit si dhe pajisjen nga A. Shatku disa herë me karta krediti”, thuhet në akuzën e SPAK.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej datës 21 tetor 2024, ndërsa mbrojtja e tij argumenton se janë shkelur afatet procedurale.
Sipas tyre, SPAK nuk ka paraqitur njoftimet periodike dy mujore, të parashikuara nga ligji për vazhdimin e masës së sigurisë.
Avokatët kërkojnë që kjo situatë të konsiderohet si shkak për zëvendësimin e masës me një formë më të lehtë sigurimi, siç mund të jetë “arresti shtëpiak” apo “detyrimi për paraqitje”.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi u morën të pandehur nga SPAK që u komunikoi akuzat e pastrimit të parave, korrupsionit dhe mosdeklarimit të pasurisë, ndërkohë që vendosi të vijojë hetimet edhe për 3 muaj të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.